Pritje pa fund në kontrollet e sigurisë, fluturime të anuluara. Para sezonit të verës dega e fluturimeve duket në limitet e saj. Cilat janë arsyet dhe si është perspektiva për sezonin e verës?
Vera po vjen dhe me të edhe dëshira për udhëtime e pushime. As inflacioni dhe zërat pesimistë pas rritjes së çmimeve javët e fundit nuk e kanë thyer dëshirën e gjermanëve për udhëtime. Operatorët turistikë gjermanë bëjnë të ditur se ka një rritje të madhe të prenotimeve për verën në prag, rritje madje që ka kaluar edhe nivelin e prenotimeve në periudhën para Coronës. Koncerni turistik, TUI bën të ditur, se të “uriturit” për diell janë gati të paguajnë edhe çmime më të larta për javët më të bukura të vitit. Po ashtu edhe prenotimet e pushimeve të gjata apo hoteleve luksoze kanë shënuar rritje. Për prenotimet në fuqi koncernet aktuale turistike nuk do të bëjnë rritje çmimesh shtesë, për shkak të rritjes së çmimit të kerozinës. “Pushimet këtë vit duket se janë lart në listën e dëshirave të gjermanëve, pasi një kohë u desh të hiqnin dorë. Madje as rritja e çmimit të energjisë dhe inflacioni në rritje nuk e presin këtë hov”, thotë Norbert Fiebig, president i Shoqatës Gjermane të Udhëtimit, DRV.
Para pushimit skalitje e durimit
Por gëzimi i pushuesve dhe ai i shoqërive të fluturimit për rritjen e numrit të fluturimeve zbehet nga radhët e gjata në shumë aeroporte europiane. Përballë numrit të lartë të njerëzve që duan të pushojnë qëndron një numër i vogël personeli. Ka muaj që kjo mungesë personeli po shkakton kaos në disa aeroporte në Gjermani dhe vende të tjera të Europës. Në Hanover psh të prekur janë udhëtarët që marrin fluturimet e vona të natës në drejtim të Turqisë dhe Greqisë dhe destinacioneve të tjera në Mesdhe. Shpesh ata përballen me radhë jashtëzakonisht të gjata në check-in apo kontrollet e sigurisë. Edhe në aeroportet në landin NRW gjendja nuk është më e mirë. Pjesërisht janë krijuar radhë deri në 300m të gjata, shkruan portali gjerman “Redaktionsnetzwerk”, RND.
Prej javësh lufton me probleme të mungesës së personelit edhe aeroporti Schiphol, Amsterdam ku udhëtarët është dashur të presin deri në tre orë para kontrolleve të sigurisë, me radhë që dilnin deri në rrugë. Për këtë arsye Shoqëria e fluturimit, KLM ka reduktuar në mënyrë të ndjeshme shitjen e biletave. Vetëm biletat e shtrenjta janë të disponueshme, ka bërë të ditur një zëdhënës.
Radhë të tilla shumë të gjata janë parë sidomos në aeroportet britanike. Shoqëria e fluturimit Easyjet për dy javët e ardhshme ka anuluar 200 fluturime. Kjo është e nevojshme, për të mundësuar shërbimin e duhur, është shprehur Easyjet. Deri në 6 qershor do të preken nga ky anulim 24 fluturime në aeroportin Gatwick, shkruan dpa. Edhe British Airway ka anuluar nga prilli 1400 fluturime.
Lufthansa reagon
Edhe shoqëria më e madhe gjermane e fluturimit, Lufthansa reagon duke reduktuar planin e fluturimeve. Një zëdhënës i Lufthanës bën të ditur për portalin RND, se Lufthansa do të anulojë lidhje të brendshme të fluturimit, “për të mënjanuar ngushticat operative” në aeroporte. Kjo është e nevojshme për shkak të mungesës së personelit në aeroporte.
Mungesë 20% e personelit
Problemet e mungesës së personelit prekin shërbimet e sigurisë dhe shërbimet e tjera të trajtimit të pasagjerëve. “Në të gjitha aeroportet mungojnë persona të shërbimit, që merren me përgatitjen e pasagjerëve për udhëtim, rreth 20% më pak e këtij personeli në krahasim me periudhën para Coronës”, është shprehur Ralph Beisel, drejtori i Shoqatës së Gjermane të Punës në Aeroporte”, për portalin RND. Kjo bën që të ketë vonesa në check-in, në ngarkimin e valixheve, dhe kontrollin e sigurisë. Po ashtu për shkak të këtyre mungesave të personelit, shumë pasagjerë presin gjatë edhe për marrjen e valixheve.
Sipas Beisel, ka përpjekje të mëdha për ta zbutur situatën, aty ku ka mundësi. “Në pikat kritike shumë aeroporte kanë shtuar punonjësit, psh përmes floor-walker, persona që ndihmojnë udhëtarët që presin dhe i orientojnë.
Kaos para verës?
Nuk është e sigurtë, nëse deri në verë aeroportet do të rekrutojnë personel të ri. Ekspertët e quajnë këtë si jo të mundshme. Fraport, në Aeroportin e Frankfurtit kërkon t’i përgatisë udhëtarët për probleme gjatë verës. Edhe në verë do të ketë probleme me fluturimin, sepse edhe në këto muaj në këtë aeroport nuk do të jetë në dispozicion 100% e personelit. Në verë priten që fluturime të caktuara të anulohen ose të shtyhen në mënyrë që të shmanget kaosi në aeroporte.
Vetë pasagjerët mund të ndihmojnë duke kryer check-in online dhe të japin të gjitha valixhet, që të mos ketë shumë për t’u kontrolluar në kontrollet e sigurisë. Po ashtu informimi paraprak ndihmon që të zbuten disi radhët e gjata. Shumë vende ende kërkojnë test negativ të Coronës, kështu që përgatitja e dokumenteve paraprakisht i shkurton kohë personelit në kontrolle. Disa shoqëri ofrojnë shërbimin e dhënies së valixhes një natë më parë, edhe ky shërbim shkurton kohë, mjafton një telefonatë tek shërbimi i klientit të shoqërisë së fluturimit për të shkurtuar kohë për të nesërmen./DW