Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi është prononcuar për gazetarët pas vendimit të marrë sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të anuluar zgjedhjet e 29 korrikut për kryetarin e ri.
Bardhi iu drejtua me një thirrje Lulzim Bashës dhe çdo aktori në PD, duke kërkuar që të reflektojnë dhe të ndalin frymën përçarëse që mbjellin aktet dhe vendimet antistatutore.
“Vendimi i Kryesisë i datës 6 qershor 2023 për hapjen e procesit zgjedhor për kryetarin e PD është shfuqizuar sot me votën e shumicës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD. Zoti Basha mund të bëjë çfarë ai ka dëshirë, apeli im për zotin Basha dhe çdo aktor brenda PD është të reflektojë, të gjejë një zgjidhje që është interesi i demokratëve dhe PD. Ky nuk është momenti që në PD të ketë të tjera akte antistatuore që në fund prodhojnë asgjë. E kam thënë dhe do ta ripërsëris në PD duhet të funksionojë rruga statutore, të lihen mënjanë truket për halle personale. Cilido të garojë përmes statutit”, u shpreh Bardhi kur u pyet sesi do të veprojë nëse Basha shpallet kryetar nga procesi i së dielës.
Bardhi iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur edhe me vendimin për të autorizuar grupin me 7 deputetë që të kërkojnë çregjistrimin e ish-kryedemokratit Lulzim Basha, nga regjistri i partive politike.
I pyetur se përse diçka të tillë nuk e kërkoi para zgjedhjeve të 14 Majit, ai u shpreh se nuk mund të mblidhte Këshillin pasi PD drejtohej nga kryetari i komanduar dhe nuk kishte vakanca.
“Sepse ky është një vendim që mund ta marrë vetëm këshilli kombëtar i PD. Sekretari i Përgjithshëm i PD që jam unë, ka vetëm një rast kur mund ta thërrasë Këshillin, kur ka vakancë në strukturat drejtuese të PD. Duke mos qenë në ato kushte nuk kam patur kompetencë për të mbledhur Këshillin Kombëtar. Së dyti ka një autorizim të Këshillit, është vendimmarrje e anëtarëve që të autorizojnë një grup deputetësh që ti drejtohen gjykatës, pasi pas zgjedhjeve të 14 majit ka një dokument gjyqësor që njeh dorëheqjen e zotit Basha. Është grupi me 7 deputetë që morën iniciativën për të paraqitur raportin pranë Sekretarit të Përgjithshëm”, deklaroi Bardhi.
I pyetur nëse ka aleat Sali Berishën në rrugën që po ndjek për të ndalur zgjedhjet e 14 Majit, Bardhi u shpreh se: “Berisha do të ishte shumë i interesuar që zoti Basha të rikthehej në pozicionin që kishte”.
Sa i përket deklaratës së kreut të Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana, ku tha se “dikush e ka marrë vulën në xhep”, Bardhi tha: “Unë as jap as marr vulën. Vula është atje ku ka qenë prej 1 viti e gjysëm”.