Këngëtarja e njohur Anxhela Peristeri ka qenë e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku ka folur për pjesëmarrjen e saj në “Festivalin e Këngës” me këngën “Karma”. Ajo është shprehur se ka besim të madh se do fitojë dhe do shkojë në Eurovizion.
Anxhela gjithashtu ka folur edhe për eksperiencën e saj kur u infektua me koronavirus. Këngëtarja bëri testin në aeroportin e Athinës në Greqi dhe pas 24 orëve mori përgjigjen se kishte dalë pozitive. Ajo qëndroi 14 ditë në një hotel Covid, ku nuk kishte mundësi as të dilte nga dera e dhomës sepse i gjithë hoteli ishte i monitoruar nga kamera online.
Rudina Magjistari: Me Covidin si i ke punët?
Anxhela Peristeri: Covidin e kam kaluar.
Rudina Magjistari: Më trego pak si ka qenë historia jote e Covidit?
Anxhela Peristeri: E kalova lehtë Covidin, u tregua i mirë me mua, por kjo nuk do të thotë që tregohet me të gjithë, kështu që vigjilenca duhet të jetë shumë e madhe. Unë e zbulova në Greqi që kisha covid, testi që bëra në aeroport rezultoi pozitiv. Isha në aeroportin e Athinës dhe pas 24 orëve më morën në telefon dhe më njoftuan që isha pozitiv me Covid-19. Më dërguan direkt doktorin për të më vizituar dhe jam dërguar në një hotel covid duke qenë se isha asimptomatike.
Kam bërë një karantinë 14 ditore, thjesht mendoja inshallah jam mirë sepse kur merr vesh që je me Covid fillon të kesh ankth dhe stres obobo çfarë do ndodhë dhe sugjeroj të gjithë njerëzit që janë me Covid të mos stresohen sepse stresi luan një rol shumë të keq në këtë sëmundje.
Pavarësisht se unë kam shumë shoqëri në Selanik sepse kam jetuar atje, nuk lejohej të dilje as në korridor, rrije vetëm në dhomë. I gjithë hoteli ishte me kamera online nga shteti dhe të vinte ushqimi 3 herë në ditë jashtë derës. Kisha televizorin dhe telefonin, kushtet ishin shumë të mira dhe ushqimi ishte shumë i mirë, çdo gjë ishte optimale, thjesht mbyllja. Kur fitova lirinë u ktheva direkt në Shqipëri sepse shteti grek ishte futur në izolim total.
Rudina Magjistari: Shkove në Greqi, bërë dy javë karantinë dhe u ktheve prapë.
Anxhela Peristeri: Po, madje kam ardhur me makinë diplomatike deri në kufi sepse nga Selaniku nuk lejoheshin të kalonin makina.