Pak orë pasi Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi me 2 vjet burg ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, SPAK nxori urdhrin që ngarkon Policinë e Shtetit ekzekutimin e vendimit të gjykatës, pra arrestimin e tij.
Apeli la në fuqi këtë të mërkurë dënimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme me dy vjet heqje lirie, dënim që përfshin po ashtu edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike dhe konfiskim të pasurisë.
Ish-kryeprokurori Llalla mungoi gjatë dhënies së vendimit, pasi po gjykohej në gjendje të lirë. Avokati i tij Sokol Hazizaj tha se Llalla mungonte për arsye shëndetësore.
Dënimin, avokati e cilësoi të padrejtë dhe paralajmëroi se do ta çojë atë deri në Gjykatën e Lartë.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 Mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.
NJOFTIMI I SPAK
Mbi përfundimin e gjykimit ndaj të pandehurit Adriatik Llalla
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr.24, datë 22.09.2021 vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr.40, datë 20.05.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.40, datë 20.05.2021 ka vendosur: Deklarimin fajtor të pandehurit Adriatik Llalla për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi 2 i Kodit Penal, 3 (tre) herë, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim. Në bazë të nenit 35 të Kodit Penal heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Adriatik Llalla për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara ku përfshihen: Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës. Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsejt 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë. Konfiskohen dhe kalohen në favor të shtetit.
Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhërin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij.