Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rikthyer në burg avokatin Alban Bengasi, i cili u lirua nga qelia 3 muaj më parë. Togat e zeza të apelit të GJKKO dënuan me 7 vite burg Bengasin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfiton dënimin me 4 vite e 8 muaj heqje lirie.
Bengasi u gjet fajtor pasi i ofroi Nuredin Dumanit 120 mijë Euro që t’i dhunonte gruan. Sipas vendimit të togave të zeza, Bengasi shpallet fajtor edhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në verdiktin e gjykatës përcaktohet se vuajtja e dënimit me burg të kryhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë.
Ky është dënimi i dytë që aplikohet ndaj Bengasit pasi më herët është dënuar me dy vite heqje lirie, dënim të cilin e kreu në muajin Korrik.
Rasti i Bengasit u zbulua nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili i tha hetuesve se nuk kishte pranuar për të dhunuar gruan e avokatit. Sipas Dumanit, ai refuzoi pasi nuk merrej me gra.
Alban Bengasi u shpall në kërkim gjatë operacionit Plumbi i Artë dhe u arrestua në Shtator të vitit të shkuar në Rinas, sapo u kthye nga Dubai.