Gjykata e Apelit ka shtyrë shpalljen e vendimit për Fredi Belerin në datën 25 qershor, ora 13:00.
Më herët gjatë seancës, prokurorët e SPAK, kërkuan lënien në fuqi të dënimit me 2 vjet burg dhënë nga Shkalla e Parë për kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Himarë.
Prokurorët i thanë gjykatës së pretendimet e avokatëve nuk qëndrojnë.
Në seancën që u mbajt ditën e sotme në Apelin e GJKKO, Fredi Beleri përsëriti edhe një herë pretendimet se është arrestuar me “dëshirë të kryeministrit.”
Teksa ndodhej pas hekurave, kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë, deklaroi se ndërgjegjen e ka të qetë, duke shtuar se provat janë të manipuluara.
“Avokatja ishte shteruese, i paraqiti të gjitha pretendimet tona. Shikohet qartë që jam arrestuar me dëshirë të kryeministrit. Provat janë manipuluar dhe unë e kam ndërgjegjen time të qetë. Po ashtu, edhe ju që do të merrni një vendim, uroj ta keni ndërgjegjen e qetë”.
Ndërsa, avokatja e Belerit kërkoi që të rrëzohet vendimi i Shkallës së Parë dhe deklarimin e pafajshëm të klientit të saj, pasi siç u shpreh ajo, fakti penal nuk ekziston.
Trupi gjykues në seancën e sotme kryesohej nga Daniela Shirka dhe anëtarë Dhimitër Lara dhe Ilirjana Olldashi.