Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi dënimin e Shkallës së Parë ndaj Laert Haxhiut, burgim të përjetshëm, të shpallur fajtor për masakrën e Lushnjes në vitin 2017 me dy të vrarë.
Vendimi është i formës së prerë.
Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi u vranë në atë ngjarje të rëndë.
Në ngjarjen e vitit 2017 ku krahas dy viktimave mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, shënjestër ishte nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti i cili i shpëtoi breshërisë së plumbave.
Pas seancës gjyqësore avokati i Haxhiut, Detar Hysi e quajti vendimin jo të drejtë dhe të njëanshëm.
Sipas avokatit mbrojtës, gjykata ka skanuar kërkesën e SPAK, dhe me këtë vendim të ndikuar nga faktorë të jashtëm, ka hapur një sagë vrasjesh në qytetin e Lushnjes.
Për të njëjtën ngjarje më herët janë dënuar edhe dy bashkëpunëtorët e Laert Haxhiut, Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili.