“Është detyra jonë të respektojmë të drejtën e çdo qenie njerëzore për të gjetur një vend ku jo vetëm të plotësojë nevojat e tij themelore dhe të familjes, por edhe të përmbushë veten plotësisht si person”, u shpreh Papa Françesku në enciklavën “Të gjithë vëllezër”, në kapitullin e katërt “Një zemër e hapur për të gjithë botën”.
Sipas kreut të Vatikanit, ideale do të ishte shmangia e migrimit të panevojshëm dhe të krijohet në vendet e origjinës mundësia konkrete për të jetuar dhe u zhvilluar me dinjitet.
Papa tregon disa përgjigje të domosdoshme, veçanërisht ndaj atyre që ikin nga krizat serioze humanitare, si për shembull: rritja dhe thjeshtimi i dhënies së vizave; miratimi i programeve të mbështetjes private dhe komunitetit; hapja e korridoreve humanitare për refugjatët më të rrezikuar; ofrimi i strehimit të përshtatshëm dhe të denjë; garantimi i sigurisë personale dhe aksesi në shërbimet thelbësore; ndihma e duhur konsullore, e drejta për të pasur gjithmonë dokumente personale të identitetit me vete, qasje e paanshme në drejtësi, mundësia e hapjes së llogarive bankare dhe garantimi i asaj që është e nevojshme për jetesën e tyre jetike; duke u dhënë atyre lirinë e lëvizjes dhe mundësinë e punës; të mbrojnë të miturit dhe të sigurojnë që ata të kenë qasje të rregullt në arsim; të sigurojnë programe të kujdestarisë së përkohshme ose të pritjes; të garantojnë lirinë fetare; promovojnë përfshirjen e tyre sociale; promovojnë bashkimin e familjes dhe përgatisin komunitetet lokale për proceset e integrimit”.
Kreu i Vatikanit apelon që të hiqet dorë nga diskriminimi i pakicave dhe të zbatohet koncepti i qytetarisë.
“Është e nevojshme të përpiqemi të vendosim në shoqëritë tona konceptin e qytetarisë së plotë dhe të heqim dorë nga përdorimi diskriminues i termit pakica, i cili mbart me vete farën e ndjenjës së izolimit dhe inferioritetit; ai përgatit terrenin për armiqësi dhe përçarje. Të krijohet një legjislacion global (qeverisje) për migracionin me projekte afatmesme dhe afatgjata që shkojnë përtej reagimit emergjent. Ata nga njëra anë duhet të ndihmojnë në mënyrë efektive integrimin e migrantëve në vendet pritëse dhe, në të njëjtën kohë, të favorizojnë zhvillimin e vendeve të origjinës me politika në solidaritet”.
Sipas Atit të Shenjtë, tundimi për të krijuar një kulturë të mureve rishfaqet, për të ngritur mure, në zemër, në tokë, duke krijuar terren për mafien.
“Kushdo që ngre një mur, do të përfundojë si një skllav brenda mureve që ndërtoi, pa horizonte. Për më tepër, vetmia, frika dhe pasiguria e kaq shumë njerëzve, të cilët ndihen të braktisur nga sistemi, do të thotë se po krijohet një terren pjellor për mafiet. Këto në fakt e imponojnë veten e tyre duke u paraqitur si ‘mbrojtës’ të të harruarve, shpesh përmes lloje të ndryshme të ndihmave, ndërsa ndjekin interesat e tyre kriminale”.