Ish-shefi i krimeve në Policinë e Elbasanit, Leonard Palushi është shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme e Apelit për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.”
Sipas njoftimit nga Apeli, mësohet se Palushit i është zbritur 1/3 e dënimit dhe përfundimisht ai do qëndrojë në qeli për 2 vite e 4 muaj burg. Përpos heqjes së lirisë, ai nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike për 5 vite.
Njoftimi nga Gjykata
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 27.09.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 47 akti, datë 11.07.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri L.P., kundër vendimit nr. 23, datë 11.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:
“Deklarimin fajtor të të pandehurit L.P. për kryerjen e veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 3 (tre) vite e 6 (muaj) burgim. Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, masës së mësipërme të dënimit i zbritet 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri L.P. me 2 (dy) vite e 4 (katër) muaj burgim. Vuajtja e dënimit të të pandehurit L.P. do të fillojë nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme. Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal, heqjen e të drejtës për të pandehurin L.P., për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5-vjeçar…” Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 23, datë 11.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Gjykata.
Leonard Palushi u vu në pranga pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani. Palushi akuzohet nga SPAK se ka përfituar një makinë tip Benz nga Erjon Alibej, personazh i njohur i botës së krimit në Elbasan, tashmë i arrestuar për dy vrasje në këtë qytet.
SPAK thotë se Palushi ndihmoi Alibejn të devijonte hetimet për njërën nga vrasjet, duke implikuar persona të tjerë.