Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la këtë të mërkurë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të Gazmend Mahmutajt dhe familjarëve të tij.
Gazmend Mahmutaj, vëllai i deputetit të Partisë Demokratike në Berat Kasem Mahmutaj, është dënuar nga autoritetet italiane për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni në fillim të viteve 2000.
Hetimi pasuror i nisur për Gazmend Mahmutajn, u shtri edhe te dy vëllezërit e tij, Behar e Kasem Mahmutaj duke nxjerrë në dritë sipas Prokurorisë së Posaçme rreth 25 pasuri në total të cilët nuk justifikoheshin me të ardhura të ligjshme.
Një pjesë e pasurive ishin edhe në emër të personave të tjerë të afërt dhe konsistojnë në apartamente, pallate, tokë truall në qytetin e Beratit dhe makina.
Shkalla e parë në përfundim të procesit, vlerësoi se kërkesa e SPAK për konfiskimin e pasurive si të krijuara nga pasuri të dyshimta, duhet të konfiskoheshin.
Në total janë vënë në sekuestro 4 makina, 10 apartamente dhe ndërtesa, një pjesë në proces legalizimi, 3 sipërfaqe tokë truall dhe 1 pallat duke i lënë në pronësi të tyre vetëm 3 apartamente.