Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non grata të ish-deputetit socialist Aqif Rakipi.
Jashtë sallës së Kuvendit, Basha deklaroi se u faktua që më 25 Prill u rrëmbye vullneti i qytetarëve, qeveria dhe vendimmarrja.
“Është një nga individët që ka blerë vota për hesap të Edi Ramës. Pavarësisht mekanizmave të përdorura në masakrën e 25 Prillit, diferenca mes PS dhe PD ishte numri i votave që Aqif Rakipi solli në Kuvend. Edi Rama sot ka humbur një partner pa të cilin nuk do ishte sot në pushtet. Dua ta përshëndes vendimin e SHBA dhe dua t’i them çdo shqiptari sot që nuk jeni vetëm në betejën tonë.
Beteja nuk është vetëm beteja ime. Nuk mund ta fsheh sot faktin që Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi mbi 8 vite që investojmë në këtë betejë me disa rezultate të prekshme si ligji i dekriminalizimit. Sot flas në emër të gjithë shqiptarëve, besoj edhe të atyre socialistëve. Sakrifica e shqiptarëve është nëpërkëmbur nga një grup personash shumica me precedentë kriminalë, që kanë rrëmbyer vullnetin e qytetarëve, qeverinë e vendimmarrjen. Sot Shqipëria është një bisht edhe sa i takon vendeve të Ballkanit”, u shpreh Basha që nuk e përmendi të ndëshkuarin tjetër, biznesmenin Ylli Ndroqi.
I pyetur për planet e tij në politikë, Basha tha se nuk do të flasë për këtë temë sot, ndërsa shtoi se vendimet e tij janë vetëm në funksion të Partisë Demokratike.
“Kam ardhur për një mesazh të qartë. Nuk do jap mundësinë të spekulojë jashtë asaj që është tema e ditës. Vendimet e mia janë në funksion të Partisë Demokratike, vlerave që na kanë besuar shqiptarët dhe do na besojnë sërish. Të vërtetat duhet të ketë guxim t’i thotë çdo politikan”.