Me tërheqjen e Australisë nga oferta për të pritur Kupën e Botës në vitin 2034, Arabia Saudite mbeti kandidatja e vetme dhe presidenti i shoqatës së futbollit saudit pretendon se turneu mund të organizohet në sezonin veror dhe jo vetëm në atë dimëror, siç ishte rasti në vitin 2022, kur u prit nga Katari.
“Ka shumë teknologji të reja që mundësojnë ftohjen, është e mundur edhe instalimi i kondicionerëve shtesë në stadiume, dhe ka shumë qytete në mbretëri që kanë një klimë shumë të këndshme gjatë verës. Ne jemi gati për të gjitha mundësitë”, tha Yasser Al-Misehal, kreu i Federatës Saudite të Futbollit, në një deklaratë për AFP.
Ditën e fundit të tetorit skadoi afati i vendosur nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) për paraqitjen e ofertës për organizimin e Kupës së Botës në vitin 2034. Që kur Australia u tërhoq, Arabia Saudite mbeti e vetmja kandidate, ndaj është e sigurt që ajo do zgjidhet, gjë që do vendoset në fund të vitit 2024.
Sipas Al-Misehal, Arabia Saudite do të jetë vendi i parë që do të organizojë në mënyrë të pavarur turneun me 48 ekipe kombëtare, pasi nuk do të kërkojë partnerë në vende të tjera.
Kupa e parë botërore në të cilën do të marrin pjesë 48 kombëtare do të organizohet bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika në vitin 2026.
Katër vite më vonë, organizatorët do të jenë Spanja, Portugalia dhe Maroku, ku nga një ndeshje do të luhet në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguaj, në kuadër të kremtimit të njëqindvjetorit të Kupës së parë të Botës të mbajtur në Montevideo në vitin 1930.