Resorti i skive, Trojena, do të jetë i disponueshëm për skiatorët për tre muaj çdo vit, ndërsa pjesën tjetër të kohës turistët do të mund të bëjnë sporte ujore dhe çiklizëm malor.
Arabia Saudite po ndërton brenda maleve të Neom, “qytetin e së ardhmes” prej 461 miliardë eurosh.
Ky projekt i ri po ndërtohet në rajonin veriperëndimor të vendit, në provincën e Tabuk-ut.
Ideja për të bërë ski në shpatet e Neom të Arabisë Saudite tingëllon qesharake dhe megjithatë Clark Williams, i cili menaxhon Marketingun dhe Komunikimin për Neom, thotë se është më e lehtë nga sa mund të mendohet.
“E vërteta është se na duhen vetëm -3 gradë Celsius për të krijuar borë në Neom dhe ne mund ta bëjmë këtë për tre muaj të vitit.”
Në malet afër Neomit, temperatura natyrisht bie nën 0 gradë në dimër.
Ndërtuesit e Trojenës pohojnë se po fokusohen në minimizimin e përdorimit të ujit dhe maksimizimin e rikuperimit të ujit kur bëjnë borë.
“Në prodhimin tonë të borës, ne do të përdorim sa më shumë burime të qëndrueshme, pavarësisht nëse është energjia diellore ose nëse është energjia e erës,” shpjegon Williams.