Arben Derhemi, në një intervistë për “Shije Shtëpie”, ka folur për “Njerëz dhe Fate 2” dhe ndër të tjera, për arsyen se pse po rikthehet si një film dhe jo si një serial, siç ishte përfolur fillimisht.
Sipas aktorit, i cili luan rolin e Florit në film, fondi i pavarur për xhirimin e 10 serive u aprovua, por marrëveshja nuk përfundoi, pasi nuk u firmos kurrë.
“U aprovua faktikisht një 10 serish me një minimum të mundshëm të fondeve nga Televizioni Shqiptar, nga Këshilli Drejtues dhe Bordi me një fond të pavarur. Në momentin që po nënshkruheshin letrat dhe po nënshkruhej kontrata, iku drejtori që ishte në atë kohë dhe erdhi një personazh tjetër. Ai iku gjithashtu për dy javë dhe erdhi personazhi që iku para pak kohësh. Ai nuk dëshironte që Televizioni Shqiptar të ishte autori i atij filizi që kishte bërë dhe atij filizit që i kishte kthyer gjithë spektatorin dhe telespektatorin Televizionit Shqiptar. Nuk donte për motivet e veta, nuk e di. Ai anuloi të gjitha fondet”, u shpreh Derhemi.
“Këto fonde të pavarura nuk mund të shkojnë askund tjetër, kështu që të gjitha fondet në Shqipëri ndodh ajo teoria që “penalltia është e imja do ta gjuaj unë” dhe drejtori është ai që është dhe do ta gjuajë ai patjetër. Nuk u hodh firma kurrë, por vetëm gënjehej gjithë kohën dhe nuk e di se përse gënjente. Njeriu thotë “po” ose “jo”, nuk ka pse diskuton sepse ajo nuk ishte një gjë që m’u dha mua apo ia dhanë dikujt tjetër. Ishte një produkt që e donte publiku, e donte Televizioni Shqiptar që domosdoshmërish të kthente dhe një herë tjetër fytyrën e Televizionit Shqiptar”.
Aktori tregoi gjithashtu dhe arsyet pse publiku e do shumë “Njerëz dhe Fate”, duke thënë se realiteti i pasqyruar i bëri njerëzit ta gjenin veten:
“Ishte një histori aq reale saqë të gjithë e gjenin veten brenda saj, çdo kush e gjente veten brenda saj, të rinjtë që ishin meshkuj e gjenin veten brenda saj, në pamundësinë e tyre për të çarë në jetë. Familjarët që e gjenin veten brenda asaj amullisë të çuditshme familjare që ndodh në Shqipëri sot e kësaj dite dhe nuk duam ta tregojmë”, tha Derhemi.
Më pas, shtoi: “Ai filmi ishte dhe në një farë mënyre dhe pasqyrë e pastër e realitetit, pasqyrë e thënë troç e asaj që ndodhte në Shqipëri dhe të viteve që shqiptarët ndiheshin në njëfarë mënyre mirë apo keq, në këtë aspekt”.
Arsyeja e tretë, sipas tij ishte padiskutim aktrimi dhe qasja e re e të luajturit në një film:
“E treta ishte dhe fakti që pati një lloj ndikimi në atë që u quajt telenovelë dhe mënyra se si u luajt, mënyra familjare, se si u komportonin aktorët ishte një qasje e re karshi të luajturit në film. Pavarësisht se teknikisht filmi linte për të dëshiruar, por në kuptimin më të ngushtë të fjalës, në kuptimin aktoresk, regjisorial ishte një film që ngjante shumë me realitetin, ky është fakti ndoshta që u dashuruan shumë me të”.
Derhemi ndau edhe detaje sa i përket asaj që trajtohet në film. Ai sqaron se historia e personazheve do të kenë një rrjedhë logjike me serialin, por duke iu përshtatur kohës dhe aktualitetit.
Rrjedha e ngjarjeve si vazhdon?
Arben Derhemi: Domosdoshmërisht duke ardhur pas 20 vitesh, normalisht që personazhet nuk janë më ata që kanë qenë as historitë nuk janë më ato që kanë qenë, as dëshirat e publikut nuk janë më ato që kanë qenë, kështu që edhe filmi është zhvilluar në një anë pak më shumë aksion. Gjithsesi personazhet janë të mbetur në stanjacion në momentin e ikjes së “Njerëz dhe fate” dhe duke qenë që skenaristi bëri të mundur një volum të madh skenari për vazhdimësinë ne kemi zgjedhur gjërat më të mira të mundshme për publikun dhe për atë që ne mendojmë se për momentin është më e këndshme dhe ka më shumë kërkesë. Plus që personazhet domosdoshmërisht do të vinin nga një rrjedhë dhe nuk mund të ketë alogjizma në vazhdimësi të personazheve dhe në vazhdimësi të roleve e karaktereve të tyre.
Sepse mendohet që kanë kaluar gjithë këto vite. Flori për shembull ka ndryshuar?
Arben Derhemi: Flori domosdoshmërisht ka ndryshuar sepse kishte ikur nga burgu, kishte dalë jashtë. Pastaj dalja jashtë e tij dhe shkuarja e tij diku tjetër është zhvilluar në film.