Nga Pëllumb Xhufi
U shua dje, në moshën 92-vjeçare, Mario Brunetti, politikan e intelektual i shquar i së majtës italiane. Kishte lindur më 20 tetor 1932 në fshatin arbëresh Plataci të Kalabrisë, ku ishte vendosur qysh në shek. XVI edhe familja e Antonio Gramshit, ideologut, filozofit e liderit historik të Partisë Komuniste Italiane. Arbëresh edhe ai me rrënjë në Gramshin e Shqipërisë. Mario Brunetti u angazhua me mish e me shpirt për t’ia kthyer Shqipërisë këtë figurë të shquar të lëvizjes punëtore, të rezistencës antifashiste dhe të kulturës progresiste, që sot e gjithë ditën mbetet ndër më emblematiket e më të studiuarat në Itali e në mbarë Evropën. Brunetti ishte ndër promovuesit kryesorë të figurës dhe veprës së Antonio Gramshit, bashkëfshatarit të tij, duke nënvizuar origjinën shqiptare, që vetë Gramshi e pohon në shkrime e letra deri tani pak ose aspak të njohura.
Mbi të gjitha, ai e shtriu këtë aksion edhe në Shqipëri. Qyteti i Gramshit u bë objekt i vizitave të përvitshme të Mario Brunetit. Falë interesimit të tij e në bashkëpunim me Bashkinë e Këshillin Bashkiak, në qendër të atij qyteti ngrihet sot busti i Antonio Gramshit. Në konferencat e shumta të organizuara në kuadër të veprimtarisë së përvitshme “Itinerare Gramshiane” të organizuar e drejtuar prej tij në Romë, Torino, Kozenca e gjithashtu në Tiranë në bashkëpunim edhe me Akademinë e Shkencave, Universitetin Mesdhetar e institucione të tjera shkencore e kulturore, Brunetti ka sjellë në vëmendje të publikut italian e atij shqiptar figurën e një mendimtari gjenial, mësimet e të cilit mbeten aktuale në një botë, si kjo e sotmja, e kapluar nga një krizë e thellë ekonomike, politike e morale e në kërkim të dëshpëruar të zgjidhjeve.
Mario Brunetti është një ndër njohësit e interpretuesit më të thellë të mendimit gramshian. Mbeten emblematike polemikat e tij me eksponentë të së majtës italiane, mes të cilave bëri bujë ajo e vitit 2011 me Presidentin e Italisë, Giorgio Napoletano, drejtues i lartë i ish-Partisë Komuniste. Këta, sipas intelektualit të majtë Brunetti, në emër të një trasformizmi neo-liberal, kishin braktisur mësimet e mesazhet e Antonio Gramshit. Brunetti shihte një hendek të frikshëm mes liderit historik të komunistëve italianë, që u tret në burgjet e fashizmit në vitin 1937 dhe pasardhësit të tij, Palmiro Togliatit, i cili menjëherë pas luftës, hodhi propozimin për amnistimin e jerarkëve të fashizmit, përgjegjës për fatkeqësitë që i shkaktuan popullit italian e popujve të tjerë që regjimi i Musolinit i pushtoi me zjarr e me hekur. Brunetti mund të konsiderohet nga zërat e fundit të së majtës italiane, që deri në ditën e fundit denoncoi me forcë thelbin agresiv e pushtues së regjimit fashist. Pushtimi fashist i Shqipërisë dhe qëndresa dinjitoze e antifashistëve shqiptarë ishin një temë gjithnjë e pranishme në fjalimet, shkrimet e konferencat e tij. Ndërkohë, ai konstatonte me dëshpërim se edhe në çështjen e qëndrimit ndaj regjimit fashist, e djathta dhe e majta italiane kanë shkuar drejt një “konsensusi”, që i njeh Musolinit si mëkat të vetëm intolerancën e tij ndaj kundërshtarëve politikë dhe, diçka, edhe ndaj hebrenjve.
Mario Brunetti pati një jetë të pasur e aktive politike. Ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Socialiste Italiane, e pas skizmës në gjirin e saj, drejtues i formacioneve të tjera të majta. Për tri legjislatura ka qenë deputet i Parlamentit Italian, ku ka drejtuar Komitetin për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut e më tej ka qenë anëtar i Komisionit Antimafia. Ishte Sekretar i delegacionit italian në Këshillin e Evropës. Librat e botuar prej tij janë të shumtë, e titujt gjithashtu plot kuptim: “Sheshi i revoltës”, “Aktualiteti jo aktual”, “E Majta e humbur”, “Dje dhe Sot”, “Gramshi-Njeriu dhe Miti”, “Guximi për të qenë vetja”, “Brenda historisë”, “Zemërim i pashuar”, “Kontribut për një strategji ndaj çështjes së Jugut” etj.. Bashkë me Prof. Alfred Uçin, një prej miqve të tij të shumtë në Shqipëri, botoi librin “Nga një shekull në tjetrin”. Në të gjitha këto botime e në artikujt e panumërt të botuar në gazetat më të njohura italiane, Shqipëria dhe Arbëria, shqiptarët dhe arbëreshët ishin një argument i kurrëmunguar, edhe atëherë kur objekt i autorit ishin tematika ngushtësisht italiane apo evropiane.
Duke u bërë zëdhënës i përpjekjeve të kahershme të intelektualëve arbëreshë, si askush përpara e pas tij, deputeti Mario Brunetti shpalosi përpara Parlamentit italian çështjen kardinale të komunitetit arbëresh, atë të njohjes ligjore të tij. Në vitin 1999, falë këmbënguljes së këtij personaliteti arbëresh, Parlamenti italian miratoi ligjin nr. 482, i cili i akordoi atij komuniteti statusin e pakicës gjuhësore historike, duke hapur një faqe të re në ruajtjen e zhvillimin e gjuhës, të kulturës e të traditave të tij. Paralelisht, Brunetti ishte ideator e promotor i iniciativave të ndryshme në të mirë të forcimit të lidhjeve të Italisë me Shqipërinë. I shfrytëzoi deri lidhjet e miqësitë politike për të realizuar projekte e deri marrëveshje dypalëshe mes rajoneve të Puljes e të Kalabrisë me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.
Bashkë me miq e kolegë të mi, si me amb. Dashnor Dervishin, do të kujtojmë oratorin pasionant e të paarritshëm Mario Bruneti, ndërsa në fillim të viteve ‘90 mbronte në Parlamentin italian të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Do të kujtojmë virulencën me të cilën ky intelektual, përndryshe natyrë e qetë, denonconte shkeljet e rënda të demokracisë nga qeveria liberticide e Tiranës dhe mbështetësit e saj në Itali e në Evropë. Do kujtojmë përpjekjet e tij për t’i ardhur në ndihmë popullit shqiptar, të vuajtur e të ligështuar nga zullumet e klasës së vet politike. Është një ngushëllim i madh për ne që e kemi njohur, që shteti shqiptar i ka njohur, gjithsesi, meritat që i paharruari Mario Brunetti ka në afirmimin e komunitetit arbëresh dhe në zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë fqinje. Ai është vlerësuar me Urdhrin “Për Merita Civile” si dhe me dekoratën “Shqiponja e Artë”.