Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka dalë sot para komisionit të vettingut. Kryepolici ka qenë i vetëm dhe pa praninë e ndonjë avokati.
Sipas Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit të efektivëve të policisë, ka përputhje të deklarimit të drejtorit të Policisë së Shtetit, me të dhënat e marra nga institucionet.
Veliu ka deklaruar një apartament në Tiranë me vlerë 79 mijë euro, i cili është në ndërtim e sipër, ndërsa ka shtuar se ka paguar deri më tani 37 mijë euro.
Aktualisht, së bashku me bashkëshorten e tij, Veliu ka deklaruar se jeton në një shtëpi me qira në Tiranë.
Veliu ka deklaruar dhe një kredi 5 milionë lekë, dhe të ardhura familjare. Mbi këto të ardhura, ai ka deklaruar 750 mijë lekë të depozituara. Ndërkohë ka edhe 5 mijë euro në bankë nga shitja e një automjeti. Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar 2 milionë e 400 mijë lekë të dhuruara nga prindërit.
“Subjekti ka kryer deklarim të saktë në përputhje me ligjin. Nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk e ka fshehur pasurinë”, u shpreh komisioni.
Lidhur me kontrollin e figurës, sipas DSIK, Veliu është pajisur me certifikatë sigurie dhe nuk ka procedime penale për të.
Nga verifikimet e kryera, nuk rezulton që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të ketë qenë i dënuar apo i përfshirë në Sigurimin e Shtetit.
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit tha se Veliu ka plotësuar me vërtetësi formularin e pastërtisë së figurës dhe se nuk ka kontakte me persona me rekorde kriminale. Po ashtu në dosjen e tij nuk ka masa disiplinore.