Sali Berisha deklaroi se ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, u largua për aferat e kryeministrit Edi Rama.
“Nuk kam ndonjë respekt për Gledis Nanon, sepse ai u zgjodh mbi kritere politike, por largimi i tij ishte politik, se u shkeli në kallo. Thuhet se largimi i tij ka lidhje me kontejnerin që u la pesë javë në port, derisa u vodh e gjithë kokaina. Kjo e tërboi Edi Ramën. Thuhet se ky takoi Jeton Lami, i cili ndër të tjera i tha se Ardi Veliu paguhej 30 mijë euro në muaj nga Ervis Martini. E sigurt është që fillimi është brenda familjes Rama. Atë nuk mund ta hiqte asnjë njeri tjetër përveç kryeministrit. Ministri nuk e heq dot. Kështu që, ky u hoq për afera të Edi Ramës”, tha kreu i Partisë Demokratike.
Berisha ka dënuar me forcë, prishjen e pishinave të një restort turistik në Malin e Robit ditën e sotme nga strukturat e IKMT-së.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha pas këtij veprimi fshihen akte politike.
“Gjithçka është ndërtuar mbi bazën e lejeve të ndërtuara nga Edi Rama. Kjo e bën përgjegjës penalisht për shkatërrimin antiligjor për shkatërrimin e pronës së tjetrit. Së dyti, ndërmarrja e një akti të tillë, kur resorti është plotë me turistë, është akt i mirëfilltë banditesk. Është shembulli më i keq për Shqipërinë. Ajo që dënoj me forcën më të madhe është sfondi politik i këtyre veprimeve. Janë antiligjore, përpjekjet për të shkatërruar një grup një grup mediatik në kundërshtim me ligjet e vendit.“- theksoi ai.