Ditën e sotme u mbajt Kuvendi Kombëtar i PD-së ku ishte e pranishme mes të tjerëve edhe vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pjesëmarrja e vajzës së Berishës, Argita Malltezi ka tërhequr vëmendjen në punimet e Kuvendit Kombëtar, pasi është hera e parë që e bija e ish-kryeministrit është shfaqur publikisht në një forum partie.
E pyetur nga gazetarët më vonë, zonja Malltezi sqaroi se nuk është në planet e saj pjesëmarrja aktive në politikë. Vajza e ish-kryeministrit sqaroi se ka qenë gjithnjë pjesë e PD-së, por se nuk ka ambicie për më shumë.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe vetë Sali Berisha kur u pyet nga gazetarët.
“Argita Malltezi mbajti një fjalim si shumë të tjerë aty. Argita Malltezi është një aktiviste e PD-së, që në ditët më të para të themelimit të saj, ka qenë studente. Në këtë kontekst, ajo nuk është ndarë kurrë nga PD. Ky është fjalimi i parë publik i saj në kuvendet e partisë, por kjo nuk do të thotë asgjë më shumë sesa një fjalim në të cilin shprehu si aktiviste e PD-së, mendimet e veta”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se të drejtat politike janë thelbësore për ushtrimin e lirive ekonomike.
“Varfëria është rritur frikshëm e konkuron me krimin. Diku ne gabuam. Secili prej nesh u përpoq shumë dhe rendi drejt sigurisë ekonomike, por harruam një mësim të historisë të cilin e kemi përjetuar, të drejtat politike janë thelbësore për ushtrimin e lirive ekonomike. Nëse lejojmë kufizimin e tyre ne rrezikojmë të ri-biem në diktaturë të ngjashme me atë që kemi përjetuar. Me një dallim, sot ne n’a lejohet të lëmë gjithçka dhe të ikim. Të largojmë gjënë më të shtrenjtë, fëmijët tanë, gëzimin e vatrave tona, të ardhmen e vendit. Kjo nuk quhet zgjedhje, ky është nënshtrim, përdhosje e të drejtave tona.
Në vitet ’90 kam marrë pjesë aktive në të gjithë ngjarjet e lëvizjes së dhjetorit dhe muajve që pasuan, pa pasur asnjë qëllim angazhimi në politikë, dhe në fakt – për shkak të moshës – pa pasur as edhe pretendime ekonomike. Ajo që nuk mund të pranoja dhe që më bënte absolutisht të vendosur në qëndresën time ishte mohimi i lirive politike, e drejta e fjalës, e drejta e mendimit ndryshe, e zgjedhjes së mënyrës së jetesës, e shkollimit, e drejta e besimit. Ne e refuzuam këtë sepse donim të jetonim si njerëz të lirë, me dinjitet. Ne hymë në grevë urie për heqjen e emrit të Enver Hoxhes nga UT, si një provë force ndaj rregjimit dhe fituam. Ne pra, ishim brezi që ditëm të qëndronim dhe fituam ndaj diktaturës më të egër të lindjes. Fituam sepse guxuam! Sepse qëndruam! Sepse u bëmë bashkë!”
Ndër të tjera gjatë fjalës së saj vajza e Berishës u shpreh se në emër të misionit prindëror, duhet t’a bëjmë këtë betejë për fëmijët tanë.
“A është detyra jonë që sot edhe një here, në emër të misionit prindëror, t’a bëjmë këtë betejë për fëmijët tanë? T’u mësojmë atyre qëndresën ndaj të keqes, përballjen me dinjitet. Për t’u dhënë një trashëgimi që do t’u vlejë pavarësisht vendit ku do jetojnë. Nëse sot shpresa është vrarë, është detyra jonë t’a kthejmë atë. Të tregojmë se ikja nuk është zgjidhja, se njeriu mund të arrijë çdo majë nëse beson, të mundë çdo të keqe nëse qëndron dhe guxon. Fëmijët tanë shkojnë në vende ku punësimi, shëndetësia, shkollimi ofrojnë siguri, por ne nuk duhet t’a lëmë shtëpinë e tyre të shkretohet. Kjo tokë është trashëgimia e tyre me ligjin natyror ajo që u ka dhënë Zoti kur erdhën në këtë botë. Ata mund të bëhen më të pasur e më të zotë atje ku janë, por kjo mbetet shtëpia e tyre. Është detyra jonë të mbajmë hapur shtëpinë për ta.”
Në fjalën e saj, Malltezi tha se është koha që demokratët të ringrihen edhe një herë e të korrigjojnë gabimet e së shkuarës.
“Të kthehemi dhe të korrigjojmë gabimet tona, të rregullojmë atë që u prish edhe nga indiferenca jonë ndaj së keqes. Që një ditë, kur ata të kthehen t’a gjejnë shtëpinë e tyre mikpritëse dhe ftuese. Kjo kërkon që ne të ngrihemi dhe një here, tashmë jo më për vete, por për fëmijët tanë. Partia Demokratike ka qenë gjithnjë parti e frymës. Ndaj unë kam besim se në radhët e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, më shumë se kudo tjetër, ka idealistë që, njësoj si 30 vite më parë, kanë brenda vetes forcën dhe motivimin për t’u ngritur dhe për të bërë ndryshimin. Jam e bindur se nevoja për të risjellë ligjshmërinë dhe shpresën tejkalon interesat politikë dhe është tashmë kërkesë e të majtëve dhe të djathtëve. Sot është koha e aksionit për çdo njeri.”
Argita Berisha ndër të tjera tha: “Ju që keni ngritur familjet tuaja, bashkoni forcën tuaj në aksionin politik të Partisë Demokratike që të ngremë dhe një here së bashku të ardhmen e Shqipërisë dhe të kthejmë shpresën nën kulmin e saj. Si njëra prej jush unë unë e di forcën që ju mbartni, energjinë që ju përcillni. Unë e di se me ndihmën e Zotit, nuk ka qëllim që njeriu nuk mund t’a arrijë, nuk ka të keqe që ne nuk e mundim dot”.