Sali Berisha i cilëson shpifje akuzat e ngritura nga SPAK për privatizimin e kompleksit Partizani. Në një konferencë për mediat këtë të hënë, Berisha e cilësoi dosjen si “dokumentin paçavure të Edi Ramës dhe larove të tij skapistë”, hodhi poshtë çfarë thuhet në të, duke dhënë versionin e tij për secilën nga pikat.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë, para shqiptarëve se kemi të bëjmë me një dacibao, fletërrufe për ata që nuk e dinë se çfarë janë, që në çdo paragraf shpreh dufet dhe urrejtjet e përroit psikik të Edi Ramës, ligësinë e tij shpirtëore dhe të skapistëve që ndajnë të njëjtin moral me të. Ajo është një kosh me gënjeshtra, shpifje të ulëta, manipulime dhe trillime monstruoze, të cilat faktojnë karakterin politik dhe amoral të masave të sigurisë të vendosura ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, këtij të fundit për fajin e vetëm se është dhëndri im”.
“Dhëndri im nuk ka marrë as 10 përqind të asaj që i takon nga dy gjyshërit”
Berisha tha se në të vërtetë dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, nuk ka marrë as 10 përqind të pronave që i takon si trashëgimtar nga gjyshërit e tij.
“Me dacibaon e tyre, shkruajnë si fakt kundër meje, se procesi i kthimit të pronave 5 familje pronare të tokës, ka filluar në 2007-n. Ky është mashtrim publik që përbën vepër penale sepse bazohet në fshehje të dhjetëra dokumenteve zyrtare që faktojnë se procesi i njohjes së pronës 5 familjeve, ka filluar në 1994 dhe ka përfunduar para vitit 2005. Po ashtu kthimi i pronave të grabitura nga regjimi i Enver Hoxhës, ka filluar në 1995. Ata kanë marrë në përputhje me ligjin e kohës dhe ka vijuar me vite deri në 2009-n. Për të mbështetur kallëzimin e tyre të rremë, aludojnë ndaj meje në mënyrë groteske se unë reformën e pronësisë dhe reformat themelore të PD, amendimin e ligjit të kompensimit të pronave, i paskam ndërmarrë për të favorizuar dhëndrin tim pronar, i cili, e vërteta është se nga pronat e tij, nga të dy gjyshërit si nga nëna dhe nga ai babai, nuk ka marrë as 10 përqind të asaj që i takon.
Sipas këtyre për këtë qëllim unë amendova ligjin e vitit 2004 dhe zgjata me 1 vit afatin e dorëzimit të dokumenteve të ish-pronarëve për të faktuar provat e tyre. Po i pyes këta mendër zyrtarë, po Fatos Nano që para meje kishte zgjatur jo me 1, por me 2 vite afatin në këtë ligj për pronarët, e bëri këtë për dhëndrin tim? Sharlatanë mjeranë!”
Teksa shfletoi dosjen e çështjes së privatizimit të ish-klubit Partizani, ish kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë çdo akuzë të SPAK ndaj tij dhe Jamarbër Malltezit.
“Argita Malltezi ka deklaruar çdo qindarkë”
Ai theksoi po ashtu se vajza e tij, Argita Malltezi nuk ka përfituar kurrë asnjë qindarkë nga sektori shtetëror apo trashëgimia e të shoqit dhe se pasurinë e saj e ka deklaruar çdo vit.
“Së pari, për të ushqyer mediat pro-qeveritare me gënjeshtra dhe mashtrime, Rama dhe larot e tij, përdorën një letër, korrespondencë e mbesës time me të atin, dhe i bëjnë pyetjen e asaj “ta pyesim pak këtë vajzë si u bë babai yt kapitalist me 20 mijë euro kur s’ishte bashkëpronar në kompani’? Ai është bërë pa qenë, por duke qenë ortak i saj me kontratë e cila nënkupton përgjegjësi të pakufizuar, të regjistruar nga noteri. Ka pasur parcelë të tokës së tij, ka blerë parcela nga kushërinjtë e tij. Së dyti, ka investuar me dokumente 60 mln lekë, i fshehin të gjitha. Së treti kanë qindra dokumente që ka shitur si shumica e ndërtuesve, kjo është praktikë dhe për çdo metër katror ekziston dokument, por këta shpifës të paguar për të hedhur tym shtrojnë pyetje si u bë. Ja pra si u bë! Zgjodhi vetë mes shitjes në gropë apo marrjes në kredi, në këtë mënyrë dhe e ka të vërtetuar në dogana.
Keqësia e Edi Ramës, hakmarrësit primitiv dhe larove të tij, kulmon kur në 3 ose 4 raste shkruajnë se Malltezi mori dizidentin dhe Argita nuk e deklaroi në të ardhurat e saj. Tani këtyre individëve që përdhosin ligjin, jeni ose skllevër të Edi Ramës, ose injorantë në ekstrem. Argita Malltezi ka deklaruar pasuritë e veta dhe dy vite para ligjit, kur i deklaronte i ati. I ka deklaruar çdo vit, ligji nuk detyron lidhjen e lidhjes, ajo si deklaron se është funksionare, por për shkak të atit. Malltezi nuk është subjekt. Këta përdhosës të ligjit për të akuzuar , i referohen ligjit të bashkësisë familjare, por edhe ai e përjashton. Ai ligj thotë, të gjitha janë bashkë përveç pasurisë që vjen nga trashëgimia, nuk ka asnjë qindarkë nga trashëgimia e bashkëshortit.”
Berisha-Ramës: Ti do lësh mandatin, je i pashpresë
Berisha vijoi me akuzat e rënda ndaj kryeministrit Edi Rama duke i përmendur thjeshtrën.
“I kthehem Ramës, Argita Malltezi që nga vitet kur ka marrë rrogën e parë si pedagoge nuk ka fituar si kontraktore një qindarkë të vetme nga sektori shtetëror apo publik, kurrë! Se e ndalon ligji dhe ajo është njeri i ligjit. Si hakmarrje se unë të kam përmend thjeshtrën ty, Edit e Lindës u them sa merreni me vajzën time, këshillojeni vajzën e shtëpisë, sqarojeni se Kushtetuta nuk e lejon të marrë pjesë në tendera, se si shushunjë ka marrë qindra tendera.”
“Ti do lësh mandatin për shkak të kësaj dhe je i pashpresë!”, theksoi Berisha në konferencë drejtuar kreut të qeverisë.