Prokurori i Durrësit, Arian Ndoja u përball në KPK me barrë prove për kontaktet me persona me “rrezikshmëri të lartë shoqërore” dhe precedentë penalë. Ndoja u mbrojt duke vënë në diskutim procedurën e ndjekur nga KPK, ndërsa i cilësoi gjetjet si ‘thashetheme pa prova”.
Nga Vladimir Karaj – BIRN
Atentati i nëntorit të vitit 2019, ku u plagos prokurori Arian Ndoja dhe mbeti i vrarë Andi Maloku u vendos tërthorazi në qendër të debatit që u zhvillua të premten në seancën dëgjimore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Prokurori i Durrësit, Ndoja e përmendi disa herë atentatin për të treguar herë moskokëçarje për rezultatin e vetingut dhe herë si shembull të sulmit të shumicës qeverisëse ndaj tij.
Në anën tjetër, Komisioni e përmendi sulmin për ta lidhur Ndojën me dy persona, që sipas një raporti të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, e bënin subjektin të dobët përballë presioneve dhe të papërshtatshëm për detyrën.
Njëri prej personave, që u identifikua si Aleksandër Laho dhe që u plagos në të njëjtin atentat me Ndojën, u cilësua si “person me rrezikshmëri të lartë shoqërore”. Ndërsa për ndërtuesin me inicialet E.SH u tha se kishte dyshime për konflikt interesi.
I hetuar nga Komisioni vetëm për figurën dhe profesionalizmin, Ndoja i mohoi akuzat dhe i cilësoi ato thashetheme dhe pa fakte. Ai po ashtu përmendi sulmet nga kryeministri Edi Rama dhe ish-zv.kryeministri Erion Braçe pas arrestimit të një prej drejtuesve të hipotekës së Durrësit, si sulme politike ndaj tij.
Vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs tha në fund të seancës se situata e Ndojës ishte e qartë nga sa u relatua dhe nga përgjigjet e tij. Megjithatë, Jacobs shtoi si qëndrim të tijin se Ndoja i kishte shtyrë së tepërmi kufijtë e etikës, ishte shoqëruar me personat e gabuar dhe se për të ishte i pabesueshëm.
“Nuk do doja prokurorë në ekipin tim që paguajnë shoferë privatë për t’i shëtitur vërdallë,” tha Jacobs.
Procesi i vetingut ndaj Ndojës po kryhet nga trupa e përbërë nga Olsi Komici kryesues, Xhensila Pine anëtare dhe Firdes Shuli relatore.
Arian Ndoja përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002 dhe punoi fillimisht si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2004, Ndoja u largua nga prokuroria dhe punoi si avokat deri në vitin 2008, kur u rikthye në sistem.
Kontaktet e papërshtatshme
Relatorja Firdes Shuli lexoi në seancë se ditën e atentatit në nëntor 2019, Ndoja kishte drekuar me E.Sh, një ndërtues si dhe me Aleksandër Lahon, i njohur gjithashtu me emrin Pëllumb Muharremi.
Për ndërtuesin E.SH, relatorja tha se kishte pasur disa kallëzime – shumica e të cilave të pushuara nga Prokuroria e Durrësit.
Për Lahon, ajo tha se nga hetimi rezultonte se personi i identifikuar në relatim si A.L, por që përdorte edhe tre apo katër identitete të tjera, ishte cilësuar nga DSIK si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe po ashtu sipas një informacioni konfidencial, i përfshirë në krimin e organizuar në një vend tjetër.
Për ndërtuesin ndërkohë u tha se pavarësisht njohjes, Ndoja kishte hetuar për rreth një muaj një procedim ndaj tij dhe po ashtu një procedim tjetër ndaj së bijës, i cili ishte pushuar. KPK tha se të dy rastet e bënin prokurorin të dukej në konflikt interesi dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia.
Ndoja këmbënguli fillimisht se KPK kishte bërë shkelje të ligjit, kishte hetuar përtej afateve kushtetuese dhe pasi kritikoi për gabime këshilltarin ligjor të dosjes, mohoi që të dy rastet të ishin kontakte të papërshtatshme.
Ndoja solli si provë një dëshmi penaliteti të Lahos, në të cilën ai rezultonte i padënuar. Disa herë Ndoja këmbënguli se nuk kishte informacionin e duhur dhe nuk dinte çfarë provash të sillte veç dëshmisë së penalitetit.
I pyetur nga Shuli nëse kishte kontaktuar me A.L dhe nëse e kishte pyetur atë për dënime jashtë vendit, Ndoja tha se kishte mbi një vit që nuk kishte kontakte dhe përsëriti se nuk kishte informacion mbi pretendimet e ngritura nga KPK. Ai këmbënguli se njohja me personin në fjalë ishte e kohës kur ishte avokat.
Ndoja tha se në rastin e ndërtuesit, njohja e tij ishte rrethanore. Ai tha se nuk e kishte ditur se në një çështje pas një kallëzimi për ndërtim të paligjshëm e paditur ishte vajza e ndërtuesit. Sipas tij, kjo ishte vajza nga martesa e parë dhe njohjet e tij me ndërtuesin nuk ishin aq të thella sa t’i njihte familjen. Ndoja këmbënguli se çështja ishte pushuar pas një akti ekspertimi që kishte provuar se nuk kishte ndërtim të paligjshëm.
Për çështjen tjetër, të cilën e kishte pasur në hetim rreth një muaj para se të hiqte dorë, Ndoja tha se nuk e kishte bërë këtë për shkak të konfliktit të interesit, por për të mos u ngarkuar me fjalë për shkak të njohjes që kishte. Ai pretendoi se njohja nuk klasifikohej si konflikt i mundshëm interesi.
Veç dy personave të mësipërm, ndaj Ndojës u referuan edhe disa kontakte të tjera, përfshi atë me vëllezërit e një personi të dënuar në Itali për vrasje. Ndoja pohoi njohjen me vëllezërit e të akuzuarit, por mohoi të njihte të dënuarin.
Ndërkohë, ai i cilësoi pretendimet e ngritura nga KPK dhe opinionet e vëzhguesit ndërkombëtarë në çështjen ndaj tij si thashetheme, ndërsa ironizoi se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut kishte pranuar në një rast se ato mund të përdoreshin në sallë të gjyqit, por jo si fakte.
Konfliktet për pronat
Pronat në bregdetin e Durrësit ishin po ashtu pjesë e relatimit në vetingun e prokurorit Ndoja. Shuli relatoi si gjetje të KPK-së pretendimin se Ndoja kishte ndërhyrë në caktimin e një trupe gjykuese për një çështje civile pronësie, por pa dhënë detaje të tjera rreth kësaj. Ndoja mohoi të ishte i përfshirë dhe tha se nuk kishte tagër që të caktonte trupë gjykuese.
Ndoja megjithatë referoi gjatë mbi hetimin që ai kishte bërë ndaj drejtuesve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke iu referuar konfliktit me drejtuesen e prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, konflikt që u përmend edhe në çështjen e kësaj të fundit.
Prokurori këmbënguli se përplasja me Jellën, e cila ishte sjellë nga ONM si shkelje e etikës prej tij ishte vijim i një letërkëmbimi profesional dhe aludoi se ishte penguar të bënte punën e tij. Ai po ashtu aludoi disa herë për kolegët, por pa bërë të qartë nëse i akuzonte ata për shkelje.
Ndoja herë pas here në seancë kërkoi të dinte nëse Jacobs ishte njohur me dy e-maile që ai i kishte dërguar Jellës në kohën e përplasjes për hetimet në hipotekë. Ai pretendonte se opinioni i ONM do të ndryshonte nëse Jacobs njihej me to. Por vëzhguesi iu përgjigj shkurt kur Ndoja iu kthye ta pyeste.
“Unë nuk jam këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve të tua. Është e kundërta,” tha Jacobs.
Jacobs shtoi më tej se nëse do të ishte drejtues i prokurorisë, nuk do të donte ta kishte Ndojën prokuror.
“Unë nuk ju besoj,” tha Jacobs, që shtoi se axhenda pse Ndoja ishte bërë prokuror ishte e paqartë, kur si avokat ai kishte pasur fitime vjetore prej 250 mijë eurosh në vit.
Pasi përmendi se kishte raste kur magjistratët bëheshin pjesë e sistemit për të “ndjekur kriminelët” apo për “t’i shërbyer vendit”, Jacobs duke parë nga Ndoja tha: “Ju nuk jeni ky rast”.
Ai shtoi se prokurori kishte shëtitur me personat e gabuar dhe se për imazhin e tij si prokuror nuk mjaftonte justifikimi se ata nuk ishin të dënuar, pasi ishte e rëndësishme se si njerëzit rreth tij i njihnin. Ai tha se mosndëshkimi i krimit në Shqipëri ishte arsyeja pse 60 për qind e kolegëve të Ndojës ishin tashmë jashtë sistemit.
Në përgjigje të këtij qëndrimi, Ndoja tha se për imazhin e tij duhej të ishin pyetur kolegët dhe personat që punonin në lokalet e kafenetë rreth prokurorisë. ‘Ata na e kanë bërë skanerin,”, tha ai. Ai i tha Jacobs se ishte rikthyer në sistem pavarësisht përfitimeve si avokat, për të mbrojtur statusin e magjistratit.
Shuli referoi gjithashtu se SPAK kishte gjetur materiale nga dosjet hetimore në telefonin e Ndojës të sekuestruar pas atentatit. Relatorja po ashtu pretendoi se në të ishin gjetur kontakte me politikanë lokalë.
Por Ndoja këmbënguli se nuk kishte pasur asnjë material kompromentues në celular. Ai tha se ia kishte dhënë vetë kodin prokurorit dhe këmbënguli se kontaktet me politikanët lokalë e të tjerë persona ishin pjesë e aktivitetit të tij si drejtues i prokurorisë.
Ndoja i përsëriti disa herë argumentet e tij. Ndërsa tha se nuk donte të bënte viktimën, ai e lidhi atentatin e tij me sulmet që iu bënë në Kuvend nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe. “Asnjë prokurori tjetër nuk i ka shkuar zv.kryeministri për ta intimiduar në sallë gjyqi,” tha ai.
Por pasi e përmendi disa herë Ramën dhe Braçen, Ndoja tha në një moment të dytë se nuk besonte që kryeministri e njihte dhe thjesht i kishte përdorur emrin për politikë dhe se zëvendëskryeministrit i kishte ndërhyrë dikush tjetër i lidhur me drejtorin e arrestuar.
Në referatin e gjatë, Ndoja këmbënguli se personazhet në fjalë, përfshi ministrin aktual të drejtësisë ishin dakordësuar me të, pasi kishin deklaruar së fundmi se hipoteka e Durrësit “duhej shkrirë”.
Ndoja po ashtu adresoi edhe shkrimet ndaj tij në media. Ai ironizoi se hetimet e KPK ishin bazuar në shkrime edhe pse Shuli i bëri me dije se artikujt kishin qenë vetëm indicie. “Çdo barrë prove është hetuar nga KPK,” tha Shuli.
Edhe pse nuk qe përfshirë në relatim ndaj tij Ndoja foli gjatë për vjedhjen në prokurorinë e Durrësit dhe fajësoi mediat se kishin raportuar gabim vjedhjen e dokumenteve, kur aty ishte dëmtuar serveri.
Mosfillimet dhe rasti i drogës
Ndaj Ndojës, KPK paraqiti si gjetje të ONM-së një hetim të pushuar ndaj një personi të arrestuar me një sasi të paqartë paracetamoli dhe kodeine. Sipas relatimit, hetimi ishte pushuar duke u mjaftuar me ekspertizën që nuk kishte gjetur heroinë apo kokainë në pako.
ONM këmbëngulte se personi duhej të ishte hetuar më gjatë për shkak se këto dy elementë ishin kryesorë në përzierjen e lëndëve narkotike.
Por Ndoja në seancë tha se në rastin konkret nuk mund të bëhej hetim. Ai këmbënguli se lëndët e kapura nuk ishin të paligjshme dhe se ndërsa s’kishte gjurmë drogë në material, personi në fjalë nuk mund të hetohej.
Ndoja ironizoi dhe ju kthye disa herë kërkesave të KPK-së për materiale nga dosjet, për të cilat i ishte kaluar barrë prove. Ai tha se KPK kishte kërkuar të kishte veprimet hetimore në një çështje mosfillimi dhe përsëriti disa herë se këshilltari ligjor nuk e kishte ditur që në këto raste nuk kryheshin veprime.
Të njëjtin qëndrim mbajti ai edhe ndaj pyetjeve të Shulit për mosvënie në dispozicion të dokumenteve. “Mosfillimi është vetëm një copë letër,” tha ai duke lënë të kuptohej se në këto raste nuk kishte pasur as ankime.
Në fund, Ndoja kërkoi rihapje të procesit për pasurinë dhe konfirmimin e tij në detyrë. Vendimi për Ndojën do të shpallet më 6 maj në orën 9.45.