Nga Leonard Quku
Arif Rexhmatin unë e kam njohur vite në parë kur opozita luftonte dhëmb për dhëmb me Edi Ramën. Ishin kohërat kur Tirana gëlonte nga protestat. Pa diskutim, kryetari i degës lokale të PD në Kukës, Arif Rexhmati ishte ndër protagonistët e atyre protestave ballas me pushtetin.
Ai prej 9 vitesh është në krye të degës së PD dhe mbetet ndër kryedemokratët lokalë, në bindjen time, më të vlerësuar për punën që ka bërë si faktor opozitar. Situata që po kalon PD në qendër prej 2 vitesh sigurisht që ka patur efektin e vet edhe në bazë. Përçarja është evidente dhe nuk mund të bëjmë sikur nuk e shohim.
Por shanset janë reale që shtatori të ngrejë siparin e bashkimit të madh të demokratëve. Dhe zgjedhjet e pjesshme lokale në Kukës janë rasti më i mirë për të demonstruar vullnetin e palëve për unifikim. 24 shtatori mund t’i japë fund krizës që ka si pikënisje 9 shtatorin 2021.
Dhe cili mund të jetë hapi i parë në funksion të kapërcimit të kësaj krize? Opozita ende nuk ka një emër kandidati për zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës. Ditët po ikin dhe kjo sigurisht nuk i ndihmon.
Por kandidatin e keni: Arif Rexhmatin!
Ju mbetet vetëm ta shpallni. Merruni vesh dhe dilni me këtë emër të gjithëpranuar nga demokratët. Nuk ju duhen as primaret, sepse primaret u dëshmuan skemë lobingjesh dhe klanesh që nuk ndihmojnë aspak, përkundrazi nxisin pakënaqësi dhe bëjnë që votat të rrjedhin rrugës.
Arif Rexhmati nuk është kandidat i importuar apo turist nga Tirana. Ai jeton në Kukës si të gjithë kuksianët, ndan me ta hallet, problemet dhe gëzimet, është familjar shembullor, gëzon respektin e jo vetëm të djathtëve, por të të gjithë banorëve atje. Reputacioni pozitiv i tij është i matshëm.
A ka figurë më të ndershme dhe adekuate për të sfiduar pushtetin e mëkateve të tmerrshme në Kukës?
Emri i Arif Rexhmatin lidhet me dinjitetin dhe integritetin e çdo kuksiani që sot ndihet i fyer pas asaj që ndodhi në bashkinë më të madhe të verilindjes së vendit.
Si dashamirës i opozitës, inkurajoj bashkimin e vullneteve mes aktorëve të PD dhe Foltores me qëllim zyrtarizimin e Arif Rexhmatit si kandidat i PD për kryetar të bashkisë Kukës.
Mos lejoni përsëritjen e skenarëve të 14 Majit në të gjithë Shqipërinë dhe 23 korrikut në Rrogozhinë! Është koha për vendime strategjike, për maturi dhe guxim në interes të demokratëve. Koha e pazareve ka mbaruar!