Eksperienca e David Neres te Napoli ka nisur pozitivisht në fushë, por shumë keq jashtë saj. Braziliani, i cili luajti 21 minuta në sfidën e fituar 2-1 ndaj Parmës, u grabit menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.
Neres dhe bashkëshortja e tij përjetuan momente tmerri, pasi grabitësit i thyen xhamin e furgonit me të cilin po ktheheshin në hotel.
Më pas ata i drejtuan armën në fytyrë futbollistit duke i vjedhur një orë luksoze. Sipas mediave italiane ishin dy persona që kryen grabitjen e orës me vlerë 100 mijë euro.
Pas incidentit Neres denoncoi ngjarjen në polici dhe u kthye në hotel, ku e prisnin fansat, pa e ditur se çfarë i kishte ndodhur.
Gruaja e tij madje kërkoi falje në rrjetet sociale për faktin se futbollisti nuk ndaloi ti përshëndeste.
“David do të donte t’u kërkonte falje tifozëve që e prisnin, por teksa po dilnim nga stadiumi pas ndeshjes, dy burra me motoçikletë thyen xhamin e makinës dhe na grabitën me armë”, shkroi ajo.