8 marsi 2020 është një datë e shënuar për Armando Brojën. Sulmuesi kuqezi bëri debutimin në Premier League me fanellën e Çelsit. Ishte minuta e 86-të e ndeshjes, kur në tabelën elektronike u shfaq numri 57, që do të zëvendësonte francezin kampion bote, Olivier Zhiru. Trajneri Lampard vendosi t’i jepte kënaqësinë e debutimit 18-vjeçarit shqiptar në “Stamford Bridge”, ku Çelsi fitoi thellë, 4-0.
Pas ndeshjes Broja foli për “Sky Sport”, duke shprehur emocionet e paharrueshme të debutimit: “Debutimi në Premier League është një ndjenjë e pabesueshme. Kam qenë këtu që fëmijë dhe e kam ëndërruar këtë moment gjatë gjithë kohës. Të debutoja në “Stamford Bridge” është edhe më bukur. Isha pak nervoz para se të hyja në fushë. Trajneri Frenk Lampard më tha të isha i qetë dhe thjesht të shijoja çdo moment. Ishte e mahnitshme për mua të isha në fushë edhe pse pak minuta”, – tha Broja, i cili është në pritje te ftesës së trajnerit Reja për dy miqësoret me Slloveninë dhe San Marinon.
Pyetjes jo pak provokuese, se çfarë do të bënte, nëse i vjen ftesë nga kombëtarja e Anglisë, Broja iu përgjigj: “Ende nuk më ka thirrur Anglia, por nëse ndodh, nuk e di çfarë do të bëj. Për momentin po luaj me Shqipërinë, me U-21. Shqiptar e kam gjakun, jam shumë i kënaqur me Shqipërinë dhe shpresoj të më thirrë edhe kombëtarja e parë kuqezi. Babi dhe mami kanë lindur në Shqipëri, janë nga Malësia e Madhe. Unë kam lindur në Angli, por prindërit më kanë lindur në Shqipëri”.
Sulmuesi që ka edhe nënshtetësinë angleze është stërvitur kohët e fundit me ekipin e parë të Çelsit. Pak ditë më parë, trajneri Lampard e la jashtë 18-shes së ndeshjes me Arsenalin, kurse ndaj Evertonit, jo vetëm e përfshiu në listë, por i fali edhe kënaqësinë e debutimit Armando Brojës.
Broja është futbollisti i dytë kuqezi që luan në Premier League, pas Lorik Canës, ish-kapitenit kuqezi që sezonin 2009-2010 luajti me fanellën e Sandërlendit.
Sulmuesi 18-vjeçar është një nga talentet më premtues të Kombëtares. Ai ka spikatur me të rinjtë e Çelsit dhe deri tani ka qenë pjesë e Kombëtares U-19, ku ka luajtur 3 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol, si dhe e Kombëtares U-21. Tani është radha e Kombëtares A.