Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, është marrë në pyetje në SPAK për çështjen e inceneratorit të ngritur në territorin e bashkisë që drejton. Pas dëshmisë, ai është pyetur nga gazetarët.
Ai tha se është i gatshëm që të vijë në prokurori sa herë që i kërkohet. Ndërsa pyetjes se nëse ndaj tij kishte ndonjë akuzë apo ishte thjesht në cilësinë e deklaruesit, Subashi nuk iu përgjigj dhe tha: “Mos bëni pyetje të tilla, sepse asnjë gjë nuk do të merrni nga këto për aq kohë sa janë pjesë e hetimit”.
Armando Subashi: Kam dhënë deklarime mbi inceneratorin!
Pyetje: Do thirreni sërish në prokurori?
Armando Subashi: Atë e di prokuroria, nuk e di unë.
Pyetje: Prej sa orësh keni në SPAK?
Armando Subashi: Besoj dy a tre orë në mos gaboj.
Pyetje: Prokurorët kishin ndonjë akuzë ndaj jush apo thjesht në cilësinë e të deklaruesit?
Armando Subashi: Mos bëni pyetje të tilla, sepse asnjë gjë nuk do të merrni nga këto për aq kohë sa janë pjesë e hetimit.
Pyetje: Jeni të gatshëm të vini sërish në prokurori?
Armando Subashi: Patjetër që jam i gatshëm, në çdo moment. S’ka asnjë problem.
SPAK i nisi hetimet për inceneratorët në Gusht të vitit 2020, pas disa kallëzimeve e bëra në Prokurori.
Prokurorët arrestuan ish-ministrin Lefter Koka për inceneratorin e Elbasanit, ndërsa shpallën në kërkim pronarët e kompanive koncesionare, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.