Kosova Armatimi 5 mln euro, Kurti: Skenar për gjakderdhje në Kosovë

Armatimi 5 mln euro, Kurti: Skenar për gjakderdhje në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit ka ekspozuar vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve me Serbinë.

Më 24 shtator, në atë zonë, Policia e Kosovës është përleshur me një grup të armatosur dhe për pasojë është vrarë një zyrtar policor dhe tre sulmues. Tetë të dyshuar tjerë janë arrestuar.

Sipas kryeministrit Kurti, më 24 shtator është rrezikuar siguria kombëtare e Kosovës dhe është shpërfaqur gatishmëria “e grupeve kriminale dhe terroriste, të cilat i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë”.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak, dhe sasi të mjaftueshme, për një grup prej qindra luftëtarëve, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë”.

“Kufirin me Serbinë, më shumë sesa vija e gjatë kufitare dhe terreni malor, sidomos në pjesën veriore, veçanërisht të rrezikshme dhe të vështire e bëjnë sjellja dhe apetiti i Beogradit zyrtar”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.

Ai ka thënë se pjesëmarrja e nënkryetarit të Listës Serbe në këtë sulm, që Kurti e ka quajtur terrorist, është vërtetuar “rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit politik të serbëve në Kosovë”.

“Nuk ka demokraci e liri, pa pluralizëm. Serbët e Kosovës duhet të çlirohen nga tutelat e Serbisë”.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Radoiçiçin se e ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.

Mbledhja e kësaj të mërkure nisi me një minutë heshtje në nder të policit të rënë në krye të detyrës, Afrim Bunjakut, i cili u vra të dielën në Banjskë të Zveçanit. Qeveria e Kosovës po ashtu vendosi të japë 50 mijë euro për familjen e Bunjakut./REL