Nga Florion Metohu
Presidenti i Serbisë falenderoi, në fillim të muajit maj, Rusinë që e transformoi ushtrinë e vendit “10 herë” më të fortë se sa ishte kur ajo u bombardua nga NATO në 1999. Aleksandar Vucic e bëri këtë deklaratë ndërsa vizitoi një njësi të mbrojtjes ajrore pranë Beogradit që kohët e fundit është pajisur me sistemin rus Pantsir-S1, i cili është krijuar për të mbrojtur objektivat në tokë nga raketat, dronët dhe avionët.
Serbia bleu në 2019 gjashtë njësi të tilla, të cilat janë të fundit në vazhdën e një programi riarmatimi shumë shqetësues për stabilitetin e të gjithë rajonit. Në dhjetor të 2016 ministri i jashtëm i Rusisë do të deklaronte se Moska ishte e gatshme të ndihmonte Serbinë në rritjen e kapaciteteve ushtarake të saj. Dhe në fakt, Serbia ka shpenzuar rreth 830 milion euro që nga dhjetori 2016 për modernizimin e forcave të saj të armatosura, përfshirë zëvëndësimin dhe mirëmbajtjen e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Këtu përfshihen 4 helikopter sulmues Mi-35M dhe 5 helikopter transportues Mi-17V, 10 aeroplan luftarak MiG-29 të dhuruar nga Rusia dhe Bjellorusia, 30 tanke T-72 dhe 30 mjete të blinduara BRDM, gjithashtu të dhuruara nga Rusia. Nuk do të mungonin armatime edhe nga miku më i ri, Kina, e cila në shtator të vitit të kaluar pranoi ti shesë Serbisë 9 dronë sulmues Chengdu Pterodactyl-1, të njohur në Kinë si Wing Loong, me mundësinë edhe për 15 të tjerë në të ardhmen.
Pse i duhet Serbisë një investim kaq i madh në forcimin e ushtrisë?
Si rregull i përgjithshëm, dy janë arsyet e rritjes së fuqisë ushtarake: e para është kur ekziston një rrezik I jashtëm ndaj integritetit territorial dhe pavarësisë së një vendi; arsyeja e dytë kur ke si qëllim agresionin fizik ose presionin diplomatik ndaj një vendi tjetër.
Nuk ka asnjë dyshim që nuk ekziston asnjë rrezik agresioni ndaj Serbisë kështu që i vetmi shpjegim për modernizimin e ushtrisë serbe është përdorimi në mënyrë agresive për të arritur qëllimet e saj diplomatike.
Si për të rritur akoma edhe më shumë dyshimet e fqinjëve të saj dhe të selive diplomatike perëndimore, në 27 dhjetor të 2019 Serbia do të aprovonte në parlament dokumentin e Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes (National Defense Strategy). Ndër prioritetet e listuara, drafti gjithashtu përfshin “përmirësimin e pozitës së serbëve në rajon dhe në botë”. Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin sqaroi në prezantimin e Strategjisë së re të Mbrojtjes në Parlamentin Serb në 24 Dhjetor, se ajo ka për qëllim të përcaktojë si politikat e mbrojtjes së Serbisë ashtu edhe politikën e jashtme të saj. Dokumenti, shpjegoi Vulin, do të theksojë neutralitetin ushtarak të Serbisë si dhe “të kujdeset për të gjithë serbët kudo që ata jetojnë”.
Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare ka treguar gjithmonë se gjatë negociatat diplomatike, pala që ka një force ushtarake të dobët nuk mund të vendosë kushte. Dhe Serbia, me një traditë shumë herë më të madhe se shqiptarët në arenën ndërkombëtare, e di mirë këtë aksiomë politike.
Me një ushtri që fuqizohet nga viti në vit dhe me një dokument të strategjisë kombëtare që në parim i lejon shtetit serb të “ndërhyjë” në vendet e tjera ku ka popullsi serbe për ti mbrojtur (Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë – Hercegovinë), Serbia sjell në tryezën e negociatave me Kosovën spektrin e destabilitetit aq të frikshëm për perëndimin.
Ndërkohë që klasa politike shqiptare nga të dyja anët e kufirit organizonin shfaqje shterpë të qeverive të përbashkëta dhe më pas ziheshin për taksa doganore për pataten apo ofendonin njëri tjetrin në publik, Serbia me një aksion metodologjik, bënte investime strategjike duke fituar një epërsi të dukshme në aftësitë e saj negociuse përball perëndimit dhe Kosovës. Ndërkohë që nuk ka një strategji të koordinuar nga Shqipëria dhe Kosova për të rritur njohjet e reja, duke përmirësuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në tryezën e negociatave, nga ana tjetër, sipas ekspertëve të fushës, kemi një bashkërendim të veprimeve të Serbisë dhe Rusisë me Kinën, duke shfrytëzuar influencën në rritje e kësaj të fundit në Kontinentin Afrikan, rezultatet e të cilës duken te tërheqja e njohjes së Kosovës nga disa shtete afrikane.
Politikanë dhe opinionist shqiptarë kanë shprehur qartë irritimin e tyre për presionin ndërkombëtar ndaj Kosovës për të plotësuar kushtet që ka vënë Serbia në rifillimin e negociatave (heqjen e parimit të reciprocitetit), duke e shpjeguar, në mënyre naive, sikur duan të fitojnë pikë tek votuesit e tyre për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por do ishte e vështirë të gjeje ndonjë votues në perëndim që ta identifikonte Kosovën në hartë, lëre pastaj të vendoste orientimin e votës së vetë duke u bazuar në zgjidhjen e dialogut Kosovë – Serbi.
Me krizën pandemike dhe atë ekonomike që po e pason si dhe riorientimi i raporteve ndërkombëtare që po sjell një spostim të qendrës së rëndesës nga basini i Atlantikut në basinin e Paqësorit, aleatët tanë perëndimor po kërkojnë një strategji dalje (exit strategy) nga një konflikt i ngrirë. Historia na ka treguar se këto lloj konflikte mund të zgjasin shumë por dhe të kthehen nga momenti në moment në konflikte të nxehta.
Ajo që i druhen më shumë është ripërsëritja e modelit të luftës hibride të vitit 2014 kur ushtarë rusë pa shenja identifikimi mësynë territorin ukrainas të Krimenë, akt që solli dhe aneksimin e saj nga Rusia. Të gjitha elementet për një skenar të tillë ekzistojnë: një ushtri serbe që modernizohet nga dita në ditë, një minorancë serbe në Kosovë (por edhe ne Mal të Zi dhe Bosnje – Hercegovinë), një dokument i Strategjisë Kombëtare të Mbrojtje e cila i kërkon qeverisë serbe që “të kujdeset për të gjithë serbët kudo që ata jetojnë”, një bazë ushtarake ruse ne qytetin e Nishit e kamufluar si qëndër e përbashkët serbo – ruse për emergjencat civile, si dhe vullneti i kësaj të fundit për akte destabilizuese me qëllim zëvëndësimin e influencës perëndimore në rajon.
Në rast se një skenar i tillë do të ndodhte, ku në një moment shpërqendrimi i aleatëve nga moria e krizave që po pasojnë, trupa të “pa identifikuara” me justifikimin e mbrojtjes së popullsisë serbe nga keqtrajtimi, në të cilin me siguri do të përfshiheshin si Shqipëria ashtu dhe Mali I Zi, dy anëtar të NATO-s, por edhe Bosnje – Hercegovina, perëndimorët do të kishin 2 mundësi për të reaguar por asnjëra prej tyre me një përfundim pozitiv për ta: mundësia e parë është një reagim identik si në rastin e aneksimit të Krimesë nga Rusia, duke e dënuar publikisht dhe duke vendosur sanksione ekonomike dhe diplomatike ndaj Serbisë, por që nuk do të sillte ndryshimin e faktit të kryer në terren, ashtu si ndodhi në Krime. Kjo do të dëmtonte imazhin e perëndimit si një faktor stabiliteti dhe sigurie por dhe si një partner i besuar në sytë e rajonit por edhe më gjerë; mundësia e dytë është një reagim ushtarak i cili, përveç se do ishte shumë pak i mbështetur nga zgjedhësit perëndimorë, do të rrezikonte të shkaktonte dhe një përfshirje të drejtpërdrejtë të Rusisë dhe përsëritjen e skenarëve në lindje të Ukrainës, në Siri apo rishtas dhe Libi, mu në zemër të Europës
Këto janë arsyet pse presioni ndërkombëtar është përqëndruar te Kosova, pasojë e të cilit janë dhe rrëzimi i qeverisë së Haradinajt dhe Kurtit. Drejtimi i këtyre negociatave është në dorën e funksionarëve dhe popullit shqiptar të Kosovës por një gjë është e sigurtë: çdo ditë që kalon pozitat e Kosovës në tavolinën e negociatave dobësohen ndërkohë që Serbia shikon me njëfarë kënaqësie se si perëndimi bën çmos për ti dhënë fund një konflikti potencialisht shumë të rrezikshëm në dyert e veta.