Kina është shprehur kundër vendosjes së armëve bërthamore taktike në Minsk. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Mao Ning, bëri thirrje që të gjitha palët të fokusohen te përpjekjet diplomatike për paqe.
Deklaratën, zyrtarja kineze e bëri pasi u pyet gjatë një konferencë për shtyp rreth planeve të presidentit rus Vladimir Putin për vendosjen e armëve taktike bërthamore në Bjellorusi.
Mao kujtoi se në janar të vitit 2022, liderët e pesë vendeve që kanë në zotërim armë bërthamore (SHBA, Kina, Rusia, Britania e Madhe dhe Franca), në një deklaratë kanë theksuar se “lufta bërthamore as nuk mund të luftohet dhe as nuk mund të fitohet.”
Kujtojmë se në fundjavë, lideri rus njoftoi se ndërtimi i depos së armëve taktike bërthamore në Bjellorusi do të përfundojë më 1 korrik. Putin akuzoi Perëndimin se është duke kaluar çdo vijë të kuqe duke i dërguar armë Ukrainës.
Josep Borrell reagoi duke njoftuar se BE-ja është gati të përgjigjet me sanksione të mëtejshme. Megjithatë, SHBA-ja thotë që nuk ka ende ndonjë indikacion që Rusia të ketë transferuar armë nukleare në Bjellorusi.