Dy të rinj shqiptarë janë arrestuar në Britani pasi në banesën e tyre në Londër u gjetën kokainë dhe armë. Aksioni për kapjen e shqiptarëve u zhvillua më 7 Maj, sipas mediave dhe për kapjen e tyre ndihmoi një forcë speciale në polici.
Agjentët gjetën 25 000 Paund dhe 24 fishekë të fshehura në një dollap. Gjithashtu u gjet edhe një ditar, që sipas autoriteteve shërbente për të shënuar shpërndarjen e drogës.
Në një prej dhomave, brenda dollapit të rrobave u gjet një pistoletë e kalibrit “32”. Pas tualetit, të rinjtë kishin fshehur një kilogramë kokainë.
I pari që u arrestua ishte Arben Sulka, 30 vjeç. Ai u përpoq të arratisej duke u hedhur nga ballkoni, por pa sukses. Për të rëndon vetëm akuza e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ndërkohë, 32-vjeçari, Elton Osmenaj, i cili jetonte në të njëjtën banesë u arrestua një ditë më vonë, në një zonë tjetër të Londrës. Përveç shpërndarjes së lëndëve narkotike ndaj tij rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.
Dy të rinjtë shqiptarë do duhet të dalin para gjykatës më 11 Qershor.