Kryesore Armela Murati, pilotja e parë shqiptare

Armela Murati, pilotja e parë shqiptare

Armela Murati do të jetë pilotja e parë shqiptare! 25-vjeçarja me origjinë nga Burreli vendosi që pasionin për lartësinë, ta kthente në një profesion. E quan një zgjedhje jo të rastësishme, teksa i afrohet çdo ditë ëndrrës së saj në Bazën Ajrore të Farkës.

“Unë vij nga një familje ushtarakësh, babai im ka qenë një ish-oficer dhe duke ndjekur shembullin e tij, disiplinën që ai ka, dhe pasionin që ai ka për punën, ma ka transmetuar edhe mua. Dhe shpresoj ta bej krenare se ai është mbështetja ime më e madhe”.

Të konkurronte apo jo në një terren të dominuar historikisht nga meshkujt, ishte për të vetëm një hezitim i momentit. Sot Armela rreshtohet përkrah 11 djemve në kursin e pilotimit, duke zhdukur çdo pengesë gjinore.

“Vajzat kanë treguar që dinë të jenë të barabarta me meshkujt në shumë profesione të tjera të jetës. Është një profesion që nuk ka të bëjë vajzë apo djalë nëse do ta bësh nëse ke vullnet dhe dëshirë ta bësh do të arrish çdo gjë”.

Emocionet për arritjet e Armelës nuk i fsheh as instruktori i saj, që e quan një moment historik në 108 vitet e themelimit të Forcës Ajrore Shqiptare.

“Mendoj se Armela deri tani i ka plotësuar të gjitha kriteret për të qenë pjesë e ekipit tonë fluturues. Në fluturimin e saj të parë e pyeta “Armela ke emocione?! Jo më tha! Ke të drejtë se i kam unë emocionet”.

Armela e di se bashkë me guximin për të sfiduar lartësinë, ka pranuar mbi vetë misionin për t’i shërbyet vendit në kohë të mirë e të vështirë. Një rrugëtim që thotë se tashmë nuk mund të kthehet pas.