Aktualitet “Armën” në kokë dhe goditën me çekiç pronarin e një lokali në...

“Armën” në kokë dhe goditën me çekiç pronarin e një lokali në Shijak, në pranga agresori, e pësojnë edhe 2 vëllezërit e tij

Policia e Durrësit ka arritur të parandalojë një ngjarje të rëndë në Shijak, teksa ka vënë në pranga një 27-vjeçar dhe ka nisur procedimin për dy vëllezërit e tij. Ata akuzohen se, nën kërcënimin e një arme false, kanë goditur me çekiç dhe i kanë dëmtuar lokalin një shtetasi.

Sipas bluve, në pranga kanë rënë shtetasit F. Ç., 27 vjeç, ndërsa nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 vëllezërit e tij, shtetasit Xh. Ç., 32 vjeç, A. Ç., 27 vjeç, të gjithë banues në Shijak.

NJOFTIMI I POLICISË SË DURRËSIT

“Shijak, Durrës: Kërcënuan me armë imituese, pronarin e një lokali, e goditën atë me send të fortë (çekiç), si dhe i dëmtuan ambientet e lokalit, si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, kapet dhe arrestohet 27-vjeçari, si dhe procedohen penalisht 2 vëllezërit e tij. Sekuestrohen arma imituese, sendi i fortë (çekiç) dhe një automjet.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak, menjëherë pas marrjes së informacionit, për një konflikt për motive të dobëta, të ndodhur në një lokal në Shijak, kanë organizuar punën për të neutralizuar konfliktin dhe për të arrestuar shtetasit përgjegjës.

Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale dhe hetimore të kryera në vendngjarje, shërbimet e Policisë arrestuan shtetasin F. Ç., 27 vjeç, banues në Shijak, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 vëllezërit e tij, shtetasit Xh. Ç., 32 vjeç, A. Ç., 27 vjeç, gjithashtu banues në Shijak.

Nga këto veprime rezultoi se shtetasi F. Ç., në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë kanosur me armë imituese, shtetasin M. Rr., 29 vjeç, banues në Shijak (pronar i një lokali në Shijak), e kanë goditur atë me send të fortë (çekiç), si dhe kanë thyer xhamat e lokalit në pronësi të tij.

Sendet e kundërligjshme që u përdorën për kryerjen e këtij krimi, si dhe automjeti i këtyre shtetasve, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë së Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.”