Koburet serme punoheshin nga armëtarët dhe argjendarët shkodranë. Dorezën e kishin si kokë gjarpri, të veshur me pafta argjendi… Si nga ana funksionale, ashtu edhe nga paraqitja e jashtme prodhimi i armëve tregonte për një nivel të lartë tekniko-mjeshtëror të arritur në vendin tonë. Shqiptarët e Shkodrës, të Gjakovës dhe të Prizrenit janë mjeshtër të famshëm në punimin e armëve dhe të objekteve të tjera prej metali.
Këto armë janë pisqolla dhe shpata shqiptare e Marko Boçarit në Muzeun e Armëve ne Paris. Koburja e përdorur nga Marko Boçari është e tipit gjarpërushe e zbukuruar me argjend, ndërsa shpata është e llojit sabre që përdorej nga kavaleritë europiane të kohës. Koburet serme punoheshin nga armëtarët dhe argjendarët shkodranë. Dorezën e kishin si kokë gjarpri, të veshur me pafta argjendi. Ato qenë skalitur me motive bimore të stilizuara, në reliev. Tyta dhe çarku bëheshin prej hekuri. Gjatësia e tyre arrinte rreth 59 cm, ndërsa kalibri 20 mm. Koburet serme qenë prodhim i viteve 1780-1800. Ato janë përdorur si armë brezi nga suljotët.
Shpata e llojit sabre është një shpatë e kavalerisë së lehtë e përdorur në luftërat e Napolonit në Europë. Ajo përbëhej nga një dorezë që mbronte dorën, një teh të gjatë më dy presa dhe në fund me një përthyerje të fortë. Marko Boçari ka të ngjarë ta ketë përfituar në kohën kur shërbente në Ishujt Jonianë në regjimentin shqiptar “Gjuajtësit e Orientit” të formuar nga francezët e të përbërë nga shqiptarë.
Regjimenti “Gjuajtësit e Orientit” ishte një regjiment i formuar kryesisht nga suliotët dhe nga shqiptarët e tjerë nga kontinenti që ofronin shërbimin tradicional të mercenarisë por edhe kishin braktisur vendet e tyre si rezultat i armiqësive që kishin pasur me pushtetin e centralizuar të Ali Pashë Tepelenës.
Në armatimin personal, qoftë të ushtarit të ushtrive feudale shqiptare, apo të çdo banori të armatosur, në shek. XVII-XIX, bënin pjesë: pushka e gjatë (karajfilja) ose pushka e shkurtër (karabina), dy pistoleta (kobure), jatagani, dy vezme, vajmbajtësja, thupra (harbia) dhe brezi i mbajtjes së armëve (silahu). Pushka e gjatë shqiptare, e cila prodhohej e zbukurohej edhe në vend, të cilën tek shumë autorë të tjerë të huaj e gjejmë të emërtuar thjesht “amautka” apo “paftalia”. Kjo armë, në fakt, ka qenë përmirësimi i mëtejshëm i pushkës me fitil, i mushketës dhe i arkebuzit, të përdorura në vendin tonë gjatë shek. XV-XVII. Me spikatjen e çarkut me goditje dhe gur stralli, rreth vitit 1630, pushka e gjatë filloi dhe vazhdoi të prodhohej nga armëtarët shqiptarë gjatë shek. XVII-XIX.
Ka të dhëna se Shkodra, si qendër e madhe tregtare dhe zejtare, qendër sanxhaku, vilajeti dhe pashallëku, me tytat e vendit dhe të jashtme, plotësonte jo vetëm nevojat e veta, por me to furnizonte edhe Prizrenin, Gjakovën, Tetovën, Elbasanin, madje ato shiteshin në Delvinë, në Grabovën e Gramshit deri në Bonila të Janinës.
Si nga ana funksionale, ashtu edhe nga paraqitja e jashtme prodhimi i armëve tregonte për një nivel të lartë tekniko-mjeshtëror të arritur në vendin tonë. Shqiptarët e Shkodrës, të Gjakovës dhe të Prizrenit janë mjeshtër të famshëm në punimin e armëve dhe të objekteve të tjera prej metali. Në Ekspozitën Universale të Parisit (1854), nga objektet që tërhoqën vëmendjen e vizitorëve të huaj ishin edhe koburet shqiptare të Janinës.
Në konkursin e Londrës (1866) po këto armë morën tituj nderi. Në Ekspozitën Univerale të Parisit (1867) figuronin armë dhe disa punime filigrani të prodhuara nga punishtet e Prizrenit, të cilat nuk qëndronin më poshtë nga ato të punonjësve më të kualifikuar të Evropës. Ndërsa në Ekspozitën Universale të Cikagos (1894) ishte vendosur edhe një martinë e punuar me mjeshtëri të hollë nga dora e një armëtari të talentuar nga Tetova.
*Burimi: Albanian Historical Society.