Edison Pula, 27-vjeçari shqiptar i cili u arratis nga burgu “Santa Bona” në Treviso të Italisë, ia ka arritur qëllimit falë “ndihmës” nga një dron.
Njësia qendrore hetimore e policisë së burgjeve në Itali, po rindërtojnë episodin e arratisjes së 27-vjeçarit, ndërsa paraprakisht kanë dalë në përfundim se sharra me të cilën i riu preu hekurat e qelisë, duhet t’i jetë dërguar atij nëpërmjet një droni dhe se Pula e kishte përgatitur planin e arratisjes prej kohësh.
Po ashtu Pula ka patur edhe mbështetje jashtë burgut, ndërsa menjëherë pas arratisjes ai është marrë me makinë nga bashkëpunëtorët, teksa nuk dihet vendi ku fshihet. Ndërkohë që nuk mohohet fakti se i riu shqiptar mund të ketë patur bashkëpunëtorë edhe brenda burgut, ndërsa hetimet vijojnë.
Edison Pula u arratis së bashku me dy shqiptarë të tjerë, por për këta të fundit liria zgjati vetëm pak orë, pasi u kapën sërish nga policia dhe u rikthyen në qeli.
Edison Pula është emër i njohur edhe për drejtësinë shqiptare, ndërsa në vitin 2017 ai arriti t’i shpëtonte nga duart edhe policëve në Komisariatin e Krujës. Pula mundi të arratisej në momentin që zbriti nga furgoni i policisë dhe po futej në dhomën e izolimit. Ai shtyu policët dhe më pas kapërceu murin rrethues.
Ai ka qenë i dënuar për vrasje e mbetur në tentativë, vendosje eksplozivi dhe vjedhje me dhunë si dhe për atentatin e mbetur në tentativë ndaj mikut të Enver Stafukës, Gentjan Bejtja. Në Itali, Pula së bashku me dy shqiptarët e tjerë u arrestuan në shkurt të këtij viti, pasi policia zbuloi vendin ku ata fshiheshin, një vilë e pabanuar në fshatin Carbonera. Sipas mediave, të hënën e ardhshme 27-vjeçari duhej të dilte në gjykatën e Bolzanos në një gjyq që e shihte të akuzuar për rreth pesëdhjetë vjedhje.