“Nuk po tradhtoj atdheun, por sistemin!”, këtë fjali Feridon Fezollari, nga Pogradeci e shkroi në murin e shtëpisë një natë para se të braktiste sistemin komunist, por jo Shqipërinë.
Në 3 korrik të 1975, Enver Hoxha, pushonte pranë rezidencës së tij në Pogradec. Pikërisht në këtë natë Fezollarët arratisen.
Në vitin 1959 Feridoni ishte arrestuar për tentativë arratisje, teksa ishte duke parë një film në kinemanë e qytetit të Pogradecit. Për këtë “vepër penale”, ai i dënua me 11 vjet heqje lirie.
Selviko Fezollari rrëfen bisedën që ka bërë me Feridonin pas marrjes së dënimit. Ai e kishte pyetur nëse e kishte marrë vesh se sa vite ishte dënuar. Selviko i kishte thënë se ishte në dijeni.
“Atëherë po të duash rri e më prit, po të dush shko. Me fëmijët bëj ç’të duash. Nëse do lëri, në të kundërt merri. Mua aty ku më le, aty do më gjesh. Ti ruaj kokën!”, ishin fjalët që Feridoni i kishte thënë atë ditë bashkëshortes së tij, Selvikos.
Në vitin 1971 Feridoni del nga burgu. Kësaj herë ai ishte betuar që të largohej përgjithnjë. Për 4 vite studion lëvizjet e policisë së shtetit në ditët kur udhëheqësi vinte në Pogradec. Në verën e 1975 realizon skeletin e varkës më dru, ndërsa trupi i saj ishte do të ishte një copë mushamaje, që dikur ish përdorur si mbulese kamioni.
Gazetarja e Top Channel, Rudina Muça ka bërë një bisedë me Selviko Fezollarin, e cila tregon detaje nga arratisja e famshme e 1975.
Gazetarja: Sa herë planifikohej arratisja?
Selviko: Ai sa herë ulej e ngrihej, gjithnjë thoshte do të ikim.
Gazetarja: Vendimi i kujt ishte të shkonit ditën që Enver Hoxha ishte në qytet?
Selviko: Ky kishte me javë që shikonte prozhektorin se kur ndizej dhe shuhej. Ne e bëmë varkën me mushama të qepur tri herë më radhë dhe lëkura e duarve mu copëtua, se shpoja mushamanë. Një natë e çuam në majë të malit dhe djali, Bajrami e ruante që të mis vinte njeri. Në 12:00 të natës jemi nisur.
Në varkë qëndruan 16 persona, të moshave të ndryshme, por më kujdes duhej patur me foshnjën 6 muajsh që herë pas here niste të qante. Fejzollarët kishin vendosur që lirinë ta paguanin edhe me vetë jetët e tyre. Për këtë arsye në varkë kishte 15 kilogramë dinamit.
Gazetarja: A nuk kishit frikë?
Selviko: Frikë kishim, por kishim marrë bomba, dinamit dhe plumba me vete. Nëse shikonim që do të na ndiqni,n do ndiznim bombat dhe të vdekur të gjithë. Po më mirë e vrarë se sa në duart e Enver Hoxhës. Kujton se do shpëtoje?!
Bajram Fezollari, i biri i Feridonit tregon se udhëtimi zgjati 8 orë. Dhe se në orët e para të mëngjesit arritën në Maqedoni. Në orën 10:00 të mëngjesit Enver Hoxha merr lajmin se familja e të persekutuarve ishte arratisur.
“Nga informacionet që morëm Enver Hoxha tha se iku autobusi, tani hapni sytë mos ju ikë dhe treni. Varka është prodhuar me shpejtësi. Babi kishte bërë disa modele më përpara dhe momenti më i përshtatshëm për tu arratisur ishte kur në qytet vinte udhëheqësi pasi e gjithë vëmendja e policisë dhe ushtrisë ishte tek ai”, thotë Bajram Fezollari i biri i Feridon Fejzollarit.
Varka e mushamasë, për Fezollarët është si ‘Varka e Noas’. Ajo theu çdo ligj fizike. Në Maqedoni, një polic kufitar që dinte pak shqip duke njohur regjim diktatorial të Shqipërisë dhe duke ditur se kush do të ishte fati i 16 jetëve, vendosi të bëj manovër në përshkrimin e dokumenteve.
”Ai dokumentet nuk i bëri sikur ne ishim arratisur nga Pogradeci, por kjo familja ka ardhur nga Shqipëria në Greqi, nga Greqia në Jugosllavi. Beogradi më pas e mori të mirëqenë këtë dokument të policit. Dhe mbas 56 ditëve kemi shkuar direkt në Australi”, rrëfen Bajrami.
I biri i Feridonit ishte rritur si qytetar me të drejta të paplota, me marrëdhënie të kufizuar dhe me status moral të cenuar. Pavarësisht kësaj Bajram Fezollari, në 1992 kthehet në Shqipëri, kësaj herë i biri i të burgosurit politik ishte pronari një kompanie tekstili dhe sot për të punojnë 500 persona./ Top Channel