Kryesore Arrest me burg për shokët e Aldi Ramës

Arrest me burg për shokët e Aldi Ramës

Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Armando Markun dhe Kristjan Sherrin, të rinjtë që ndodheshin në makinë me Aldi Ramën, 21-vjeçarin që vrau policin Saimir Hoxha më 28 shtator në Kune Vain.

Ata akuzohen për moskallëzim krimi pasi nuk kanë njoftuar policinë se Rama ishte i armatosur si dhe për përkrahje të autorit të krimit.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati mbrojtës i të rinjve nuk e ka pranuar akuzën duke u shprehur se Marku dhe Sherri nuk kanë pasur kohë dhe mundësi të tregojnë para uniformave blu për armën që Aldi Rama kishte me vete.

Por gjykata nuk i mori parasysh pretendimet dhe i la në burg dy të rinjtë. Po këtë të premte Gjykata e Lezhës vendosi të dërgojë në qeli edhe Baki Ramën, xhaxhain e Aldi Ramës.

Ai ishte arrestuar në fund të Dhjetorit 2020, por më pas gjykata e kishte lënë në “arrest shtëpie”. Ditën e ngjarjes policia ka shkuar në banesën e tij, por nuk e ka gjetur duke e akuzuar atë për thyerje të masës së sigurisë.

21-vjeçari Aldi Rama ekzekutoi 3 ditë më parë efektivin e policisë, Saimir Hoxha gjatë një operacioni antidrogë. Pas gati 5 orësh ndjekje i riu qëlloi veten në kokë dhe ndërroi jetë në spitalin e traumës.