Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka vlerësuar punën e SPAK pas arrestimeve të sotme në Gjykatën e Krujës për rastet e korrupsionit me lirimin nga burgu të të dënuarve.
Gjatë një deklarate për gazetarët nga Porti i Durrësit ku kishte shkuar për vizitë, ambasadorja Kim u ktheu përgjigje skeptikëve, duke thënë se SPAK dhe Reforma në Drejtësi në tërësi do të funksionojë.
“Reforma në Drejtësi nuk është një çështje morale po çështje biznesi. Për të gjithë ata skeptikë që thonë asgjë s’ka për të ndodhur, që Reforma në Drejtësi dhe SPAK nuk ka për të funksionuar, kam një lajm për ju, e keni gabim. Do doja të shikonit hapat që ka ndërmarrë SPAK duke përfshirë edhe rastin e sotëm në Krujë. Reforma në Drejtësi nuk është një mrekulli, ndodh hap pas hapi dhe për këtë arsye duhet të zhvillohet. Është e rëndësishme që ta shtyni veten, të shkoni kundër skepticizmit. Fokusohuni tek faktet, shikoni çfarë është duke bërë SPAK, policia. Mos lejoni që të shpërqendroheni nga propaganda”, tha ndër të tjera ambasadorja e SHBA.
Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha dhe 9 funksionarë të tjerë të kësaj gjykate, u arrestuan sot me urdhër të SPAK pasi akuzohen për skemë korrupsioni në lirimin e të dënuarve.