Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter në lidhje me lajmin se 34 punonjës policie të Kufirit në Kukës janë në hetim nga SPAK.
Rama ka përgëzuar SHÇBA-në dhe SPAK-un për operacionin, teksa ka uruar që kjo frymë bashkëpunimi të vazhdojë në funksion të fshirjes së çdo njolle që ndot uniformën e policisë.
“Përgëzime SHÇBA-së dhe SPAK-ut për operacionin shembullor të goditjes së një çerdheje të korruptuarish në Policinë e Shtetit! Uroj që kjo frymë e cilësi bashkëpunimi të vazhdojë në funksion të fshirjes së çdo njolle që ndot uniformën e policisë”, shkruan Rama.
34 punonjës të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Kukës janë vënë në masa sigurimi nga Prokuroria e Posaçme me dyshimin se janë korruptuar duke lejuar kalimin e paligjshëm të qytetarëve dhe kontrabandën e mallrave.
Sipas SPAK janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e qytetarëve, mallrave kontrabandë, persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme.