Policia e Shtetit njoftoi sot se janë arrestuar 9 persona pasi prokuroria Durrës lëshoi 17 urdhër arreste për personat që dyshohet se kanë lidhje me shembjen e banesave nga tërmeti i 26 nëntorit.
Mes të arrestuarve janë zyrtarë, biznesmenë, specialistë etj. Gazetarja e “News 24”, Klodiana Lala tregon se ndër këto arrestime të deritanishme rasti i hotel “Tropikal” në Durrës është rast specifik dhe për këtë pronari rrezikon deri në dënim të përjetshëm.
“Pronari i hotel “Tropikal”, Abdulla Osmani është akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese” dhe nëse provohet ai rrezikon deri në dënim të përjetshëm.
Hoteli është një ndërtim pa asnjë leje dhe asnjë kriter ndërtimi. Rasti është specifik, ku vdiqën dy vëllezërit kosovar.
Kjo akuzë ndaj tij ka ardhur pasi dyshohet se përmes akteve korruptive pronari ka arritur ta legalizojë hotelin.
Për këtë u shpall në kërkim edhe ish-drejtorin e Aluiznit, jo vetëm me këtë rast, Flamur Gjuzin. Ai ka qenë i shpallur në kërkim për një tjetër vepre penale, ashtu si dhe Arben Isakun ish drejtori i Aluizni në Durrës”, u shpreh gazetarja, e cila shton se në ditët në vijim pritet të ekzekutohen edhe ndalime të tjera.