Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka i cili është arrestuar për inceneratorët, thotë se nuk është i vetëm në këtë aferë. Sipas Berishës, prapa tij qëndrojnë Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave në atë kohë, Arben Ahmetaj.
I ftuar në emisionin Zonë e Lirë në Tv Klan, Berisha tha se Ahmetaj ka firmosur për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit, por ka refuzuar të firmosë për inceneratorin e Tiranës.
“Lefter Koka nuk është gjë tjetër veçse hajduti i dobishëm. Lefter Koka në ujdi me të tjerë sepse asgjë s’bën dot Lefter Koka pa ndarë shuma të mëdha me të tjerë, Arben Ahmetajn edhe Edi Ramën. Ministria e Mjedisit nuk ka patur në buxhetin e saj qindarkë për djegësin e Elbasanit apo të Fierit. Ministria e Mjedisit nuk ka bërë asnjë tender, ja ka dhënë pa tender të njëjtës kompani me emër të ndryshëm që i ka dhënë Elbasanin, Fierin dhe Tiranën.
Lefter Koka nuk merrte dot kurrë një qindarkë nga buxheti i shtetit në qoftë se nuk vendoste ministri i Financave dhe Kryeministri. Ministri i Financave për të vendosur është i detyruar të shqyrtojë procedurën në çdo segment të saj dhe nuk i jep kurrë paratë. Ministri i Financave edhe të sikur të ishte buxhet i Ministrisë së Mjedisit nuk disbursonte një qindarkë nëse shihte se janë shkelur të gjitha kushtet. Lefteri u përdor nga Rama dhe Ahmetaj për të mbushur valixhe me para të buxhetit të shtetit. T’i verbojnë sytë paratë. Sa më shumë të kesh vjedhur aq më shumë do të vjedhësh.
Bashkia e Elbasant po të kishte hapur tenderin me çelësa në dorë sipas të gjitha gjasave shkonte 12-13 milionë. Por këta ja dhanë kompanisë së Zotos 22 milionë. U vodh këtu. Tani duhej djegësi i Fierit, 30 milionë. Edhe ai e njëjta skemë por kompania e Zotos me emër tjetër mori 30 milionë, bëri me çelësa në dorë për 15 milionë, tani nuk fituan më 9 milionë por fituam 15 milionë. Erdhi djegësi i Tiranës. Kuota u rrit në 130 milionë Euro. Një njeri u shtang. Arben Ahmetaj pasi e pa që kjo nuk ka ku të shkojë pa u zbuluar, nuk firmosi. Por ka firmosur në dy të tjerat”.
Sipas Berishës, Lefter Koka që mbahet i arrestuar mund të flasë për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë vetëm nëse merret si i penduar i drejtësisë.
“Lefteri nuk flet sepse Lefteri flet në qoftë se e pranon drejtësia për të penduar, por SPAK s’e pranon kurrë për të penduar se e di që Rama del si kreu i Meduzës së kësaj afere. Ai mund të flasë vetëm po të merret i penduar. Ai dënohet, por dënohet më pak”, tha Sali Berisha.