Kryesore Arrestimi i Fredi Belerit, reagon ministri Dendias: Skandal nëse nuk ka prova...

Arrestimi i Fredi Belerit, reagon ministri Dendias: Skandal nëse nuk ka prova të forta

Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ka reaguar për arrestimin e Fredi Belerit në Himarë.

Ai e konsideron çështjen “jashtëzakonisht serioze” dhe thotë se nëse nuk ka prova të forta për implikimin e tij, do të ishte skandal 2 ditë para zgjedhjeve.

“Do të doja të mbaja një qëndrim për një çështje jashtëzakonisht serioze. Arrestimi i anëtarit të minoritetit grek Fred Beleri, kandidat për kryetar të Bashkisë së Himarës në Shqipëri, dua të them që nëse nuk ka prova të forta, arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie 2 ditë para zgjedhjeve është një skandal.

Për këtë gjë kam njoftuar përfaqësuesin e lartë të BE, Borrell, dhe Ministrinë e Jashtme të Suedisë që ka Presidencën e BE. Qeveria Greke do ta ndjekë nga afër rastin.

E përsëris, është diçka që e di dhe Kryeministri shqiptar Rama, arrestimi i një kandidati për kryetar bashkie 2 ditë para zgjedhjeve përbën skandal nëse nuk ka prova të forta”, thuhet në reagimin e ministrit grek Dendias.

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, u arrestua nga policia nën akuzën për korrupsion aktiv në zgjedhje për blerje votash. Ai u ndalua pak pas mesnatës në restorantin në pronësi të tij në shëtitoren e Himarës.