Aktualitet Arrestimi i kamorristit në Durrës, si porositi vrasjen e ortakut dentist në...

Arrestimi i kamorristit në Durrës, si porositi vrasjen e ortakut dentist në Napoli

Policia sekuestroi sot një vlerë pasurore rreth 750 000 euro që dyshohet janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Pasuria e sekuestruar i përket shtetasit italian Ferdinando Muolo, i cili u vu në pranga, ndërsa rezulton i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe porositës i një vrasjeje.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në vitin 2002 në rajonet pranë Napolit, Muolo me profesion dentist kishte porositur vrasjen e ortakut të tij në biznes, me emrin Salvatore Pogniello Ridosso.

Ata të dy u grindën në biznes dhe ndodhi vrasja e cila më pas çoi në hakmarrjen e familjes Ridosso, ata paguan 100 mije euro për vrasjen e Luigi Muollo, vëllait të Ferdinandit. Në atë kohë lufta bëhej për sallat e pokerit, por edhe një kompani që merrej me materiale mjekësore.

Asokohe u zbulua nga një i penduar i Kamorras. Për t’i ikur luftës mes klaneve kamorriste, italiani 56 vjeçar kishte zgjedhur Durrësin si vendqëndrimi, ku kishte rinisur biznesin.

Hetimet u koordinuan nga Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Napolit dhe nisën pas sinjalizimit të palës italiane. Prokuroria e Napolit, në përgjigje të kërkesës të Prokurorisë Durrës, konfirmoi se shtetasi Italian Ferdinando Muolo 56 vjeç, lindur në Itali dhe banues në lagjen nr. 13, në Plazh Durrës, me shtetësi dhe kombësi Italiane është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit, Itali.

Ferdinando Muolo ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin që nga viti 2012 dhe ka regjistruar nje shoqëri, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50% të aksioneve në pronësi të tij.

Në vitin 2015 italiani ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon Ferdinando Muolo. Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku ka 30% të kuotave.