Kreu i SPAK, Arben Kraja, në një tryezë për 5-vjetorin e Reformës në Drejtësi ka paralajmëruar goditje të tjera në rang të zyrtarëve të lartë. Kraja u shpreh se prioritet i SPAK është goditja e krimit dhe e atyre që abuzojnë me fonde publike.
Kryetari i SPAK, Arben Kraja, tha se çështjet e fundit në të cilat struktura që ai drejton është bërë protagoniste janë vetëm fillimi i rezultateve që do të shihen nga ky institucion.
Duke iu referuar arrestimit të kreut të Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, Kraja tha se ky nuk është rasti i fundit, por vetëm fillimi i luftës kundër atyre që kanë shkelur ligjin.
“Nuk është fundi, është fillimi, do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe të njëjtat përparësi. Lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave janë prioritetet tona”, tha Kraja në një konferencë me aktorët e sistemit të drejtësisë, ku ishte e pranishme edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim.
“Në vijimësi do të kemi punë për të bërë. Kemi përmbyllur detyrimet e këtij viti për raportimin vjetor në KLP dhe Kuvend. Në raport me Ministrinë e Drejtësisë bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë. Bashkëpunim kemi pasur edhe për aplikimin e masave të regjimit të posaçëm, si edhe me pjesëmarrjen e prokurorëve në grupet e punës për ndryshimet ligjore. Puna jonë mbaron kur kemi një vendim gjyqësor të formës së prerë. Vetëm ditët e fundit, Apeli ka dhënë vendime përfundimtare për disa grupe të rëndësishme kriminale, 17 të dënuar për çështje narkotikësh, konfiskim të produkteve të veprës penale, si edhe 17 të dënuar për trafikim të qenieve njerëzore”.
Kraja, tha se struktura që ai drejton ka një mbingarkesë pune, për shkak të numrit të mangët të prokurorëve që ka në dispozicion. “Kemi 13 prokurorë në detyrë, në një kohë që Kuvendi ka miratuar organike me 20 prokurorë. Jemi të ndërgjegjshëm, që çështjet që kemi janë sensitive, kemi mbingarkesë dhe kërkohet vëmendja e duhur për të pasur rezultat në kohë. Grupi i parë i hetuesve fillojnë punë në muajin gusht, shpresojmë që deri në fund të vitit të kemi përzgjedhur 32 hetuesit. Nisur nga numri i miratuar i hetuesve të BKH dhe funksioneve që ato do të ushtrojnë, duhet të mendohet për një hapësirë të re ku do të vendosen”, tha Kraja.
Një ditë më parë u arrestuara kreu i Bashkisë Lushnje dhe 10 persona të tjerë, zyrtarë të bashkisë dhe biznesmen pasi kishin akuzohen se kanë abuzuar me fondet publike me një tender për një kanal ujitës.