Çnjerëzore e konsideron deputetja Monika Kryemadhi arrestimin në mes të rrugës së ish-Presidentit Ilir Meta me urdhër të SPAK.
Në një reagim të dytë në rrjetet sociale, Kryemadhi thotë se tashmë është vënë edhe ajo zyrtarisht në dijeni për akuzat që SPAK ka ngritur ndaj saj, për të cilën është caktuar nga gjykata detyrim paraqitje.
Kryemadhi, ish-bashkëshortja e Ilir Metës, i konsideron akuza të rreme veprat penale ndaj saj dhe thotë se ka autorizuar avokatët e saj për t’u përballur juridikisht.
Monika Kryemadhi akuzohet për të njëjtat vepra penale si Ilir Meta; për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Por për shkak se Kryemadhi është deputete, SPAK zgjodhi të shkojë me kërkesën detyrim paraqitje pasi në këtë rast nuk ka nevojë të marrë autorizimin e Kuvendit, që do të duhej të merrte në një rast ndalimi më të rëndë.
Reagimi i Monika Kryemadhit:
Të dashur qytetarë shqiptarë, miq dhe dashamirës të opozitës shqiptare dhe të familjes tonë.
Ju falenderoj përzemërsisht për të gjitha mesazhet e solidaritetit gjatë kësaj paradite.
Vetëm para pak minutash më është vënë në dispozicion fermani i gjykatës politike të Edi Ramës. Dhjetra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë, atentatorë në tentativë për të vrarë aksionin e opozitës shqiptare në tërësi.
Krimet mostruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të SKY dhe ECC, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës.
Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund ti bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes proceseve gjyqësore pa prova dhe pa fakte.
Krimet e disa prokurorëve të prokurorisë speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke ju nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të Republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrejnë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare.
Ju siguroj se, pavarësisht të gjithë gjyqit politik dhe publik, unë kurrë nuk do të ndalem. Ju konfirmoj se po, gjykata politike e Edi Ramës ka marrë për mua vendimin për detyrim paraqitje. Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjor për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendit. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit.