Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për arrestimin e Redjan Rrajas si i dyshuar kryesor për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj.
Nga selia e PD, Basha tha për gazetarët se kjo është tregues i qartë i lidhjes së bandave me pushtetin, pasi i arrestuari i sotëm është i afërm i deputetit të PS, Rrahman Rraja.
“Fatkeqësisht është në vazhdën e poshtërimit të Partisë Socialiste, në vazhdën e poshtërimit të qytetarëve shqiptarë, sepse tregon që kjo është një luftë e pastër mes bandave në pushtet. Është tregues i qartë i nevojës për ndryshim të menjëhershëm, për zgjedhje të parakohshme, që do t’u kthejnë qytetarëve dinjitetin, të drejtën e votës dhe do t’i fuqizojnë duke zgjedhur në Parlament dhe në qeveri njerëzit që meritojnë të udhëheqin aspiratat dhe dëshirat e tyre për ndryshim.
Në funksion të kësaj është edhe turi im që sapo kam nisur. Është një tur bashkëbisedimi dhe dëgjimi, jo vetëm i halleve, brengave dhe i të vërtetës së hidhur si kjo që është shpalosur sot, por edhe i zgjidhjeve, të cilat duhet të prodhojë një qeveri dhe një parlament që të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe jo interesat e bandave kriminale, siç tregon qartë edhe arrestimi i sotëm”, tha Basha.