Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, në të cilën mbajti një fjalë edhe kryetari Sali Berisha, është vendosur që të shtyhet protesta e thirrur për në fund të javës që vjen, nga e diela e datës 6 Tetor, për të hënën e datës 7 tetor. Kjo protestë do të nisë në orën 18:00.
“Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës”, thuhet në një njoftim të PD.
Ende nuk dihet përse është shtyrë me një ditë protesta e parashikuar të mbahej më 6 tetor.
Në mbledhje Berisha deklaroi se duhet të nisë një mosbindje deri në pranimin e qeverisë teknike, si kusht që ka opozita për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.
Berisha që në nisje të saj tha se PD mblidhet në një mbledhje emergjente, të lidhur me fatin e demokracisë, pluralizmit dhe sovranitetit të kombit shqiptar, që janë ndikuar nga vendimi i marr dy ditë më parë nga Apeli për Salianjin.
Lideri i opozitës nënvizoi faktin se karriera politike e Salianjit është shënjuar me të bërit opozitë kundër qeverisjes së Edi Ramës dhe bëri përgjegjës ish-ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj për burgosjen e tij.
“Dy ditë më parë, një deputet i opozitës, guximtar, Ervin Salianji, një politikan, i cili e ka nisur karrierën e tij politike në opozitë e që nuk ka qenë kurrë në pushtet, që nuk ka pasur kurrë në dorë fonde publike apo qeveritar, u dënua me burg, iu hoq liria. U burgos sepse guxoi të bëjë detyrën e tij. Sepse guxoi të denoncojë publikisht vëllazërinë më të rrezikshme të mafies së drogës të atyre viteve, konkretisht të denoncojë vëllazërinë Xhafaj, Geronin e saj, vëllain e Fatmir Xhafës, për trafik droge. Ervin Salianji pas këtij akti qytetar, pas këtij akti të guximshëm opozitar, pas kësaj mbrojtje që i bëri shtetit ligjor dhe Kushtetutës së vendit, pati si shpërblim hakmarrjen e verbër të vëllazërisë kriminale Xhafaj dhe vëllazërisë Rama, dëbimin dhe burgosjen për kallëzim të rremë”, tha Berisha.
Më tej, ish-kryeministri theksoi se me dërgimin pas hekurave të një ligjëvënësi demokrat, kryeministri Edi Rama i ka shpallur luftë opozitës përmes një akti terrori.
“Prej denoncimit kurajoz të Ervin Salianjit, Geron Xhafaj sot gjendet prapa hekurave në Itali, pikërisht për trafik droge. Vlora, Shqipëria një kriminel më pak. Por për gjykatën politike personale të Edi Ramës, për gjykatën e sunduar nga krimi i organizuar, me urdhër të partisë, Ervin Salianji shkoi në burg për kallëzim të rremë, bazuar në kallëzimin e Geron Xhafës, si një hakmarrje, si një dëshmi e sundimit të plotë të kodit të mafies të vëllazërive mafioze Rama-Xhafaj në Shqipëri. Me këtë akt, kreu i narkoshtetit shqiptar, Edi Rama nisi zyrtarisht fushatën e tij. Me burgosjen e Ervin Salianjit për denoncimin e tij guximtar, Edi Rama nisi fushatën e hakmarrjes, terrorit ndaj opozitës dhe ndaj shqiptarëve”, deklaroi Berisha.