330 mijë Lekë ryshfet që dyshohet se u morën për favorizimin e një kompanie në procedurën e një prokurimi publik, çuan në pranga Sekretaren e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.
SPAK njoftoi se paratë i janë dhënë zyrtares së lartë nga Laura Sheto, specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, gjithashtu e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, për të favorizuar një kompani në një tender.
Shuma e lekëve u gjet në zyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, fill pas arrestimit të saj nga policia.
Tenderi, për të cilin dyshohet se ka marrë ryshfet Joana Duro ishte për “Supervizimi për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”, Loti i Parë.
Fondi limit i këtij tenderi mësohet të ketë qenë 51 milionë Lekë, teksa fituese është shpallur një kompani e cila ka ofruar 40 milionë Lekë.
Dy zyrtaret, Joana Duro dhe Laura Sheto akuzohen nga SPAK për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
SPAK sqaroi se hetimet nisën mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila mori pjesë edhe në arrestim, bashkë me Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.