Policia ka arrestuar në flagrancë 5 persona të cilët dyshohen se kanë ndihmuar dy autorët që plagosën Joan Muçllarin pasditen e së hënës në Pogradec.
Fatjon Bono, Kristian Kresto, Hekuran Gjona, Ledion Shkullaku dhe Rudi Shaho në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndihmuar Firdeus Berberin dhe Greisi Maxharin që të largohen nga vendngjarja.
Në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua automjeti tip “Volkswagen Golf”, në përdorim të Firdeus Berberit, i cili është përdorur në ngjarje, si edhe automjetet tip “Benz” dhe “BMW X5”, me të cilët janë ndihmuar autorët për t’u larguar.
Të dy autorët janë shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Ngjarja ka ardhur pas një konflikti të çastit mesditën e djeshme rreth orës 16:00 pranë lagjes ‘Voloreka’.
Ngjarja dyshohet se lidhet me një konflikt të vjetër mes të plagosurit dhe dy autorëve.