Një 42-vjeçar u arrestua dhe një tjetër u procedua penalisht në gjendje të lirë nga policia e Tiranës me akuzën e “falsifikimit të dokumentave” dhe “përvetësim i titullit apo detyrës shtetërore”.
Ata hiqeshin si punonjës të Europol dhe i premtonin shtetasve që kanë probleme me drejtësinë jashtë Shqipërisë se do t’i ndihmonin kundrejt përfitimeve monetare.
Operacioni policor për kapjen e të dyshuarve i koduar “Kompetencat” u finalizua nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”.
“U arrestua shtetasi J. M., 42 vjeç, banues në Tiranë dhe gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi P. H., 53 vjeç.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin përdornin dokumente të falsifikuara, duke u prezantuar si punonjës policie.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore””, njoftoi policia.