Protesta e opozitës para Bashkisë së Tiranës për të kërkuar dorëheqjen e Erion Veliajt, pas arrestimeve të zyrtarëve për dosjen korruptive “5D”, është tensionuar një orë pas nisjes së saj.
Pjesëmarrësit në tubim kanë hedhur molotovë në drejtim të derës kryesore të institucionit, ndërsa përfaqësuesit e opozitës si Belind Këlliçi, Tedi Blushi e Klevis Balliu kërkuan nga SPAK arrestimin e Veliajt.
Pak pasi protesta ka agravuar, nga policia janë vënë në pranga dy prej protestuesve pasi gjatë kontrolleve u janë gjetur lëndë piroteknike.
Të dy protestuesit e ndaluar kanë qenë të shpallur në kërkim për protestën e javës së kaluar, pasi hodhën molotov në drejtim të Bashkisë.
Sakaq, këshilltarët e PD-së së Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë tentuan të hyjnë brenda institucionit, duke e cilësuar të sotmen një ditë normale pune. Tedi Blushi dhe Dorian Teliti i kërkuan madje llogari Drejtorit të Policisë së kryeqytetit, Tonin Vocaj, se përse nuk lejohen të hyjnë në zyrë.
“Kanë bunkerizuar bashkinë dhe i kanë vendosur zinxhirë derës. Drejtori i Policisë na jep arsyen përse nuk po na lini të hyjmë në godinë e të kryejmë detyrën”, tha Teliti duke iu drejtuar Vocajt.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i PL Tedi Blushi me një flamur kombëtar në dorë u hodh mbi skafandrat e efektivëve të policisë, duke tentuar disa herë të çajë kordonin por tentativat ishin të pasuksesshme.
Më pas një grup protestuesish ka provuar të zhvendosë gardhin metalik që rrethon kordonin e policisë, por efektivët kanë ndërhyrë për t’i ndaluar.