Dy shqiptarë të kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet tona, janë arrestuar në Spanjë dhe Itali.
Në Spanjë, gjatë aksionit “The zone” u arrestua 29-vjeçari F.Gj. që në vitin 2022, së bashku me babanë dhe vëllanë e tij, kishte përshtatur një ambient në Shkodër, për tharje dhe prodhim të kanabisit.
Gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 29-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me shtetasit Z. Gj. dhe P. Gj., përkatësisht babai dhe vëllai i tij, në vitin 2022, ka përshtatur një ambient në Shkodër për tharje dhe prodhim të kanabisit. Nga kontrollet, Policia gjeti në këtë ambient rreth 86 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe bimë narkotike në proces tharjeje;
Ndërsa në Itali, në kuadër të aksionit “Gain” u arrestua Edvaldo Nanushi 37 vjeç. Në vitin 2022, Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 3 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
Vijon bashkëpunimi me homologët, për të finalizuar ekstradimet e këtyre 2 shtetasve në vendin tonë.