Një 32-vjeçar me precedent të mëparshëm penal është arrestuar mëngjesin e kësaj të marte në Tiranë. Denis Trungu ishte prej më shumë se 6 muaj në hetim, pasi akuzohet se ka mashtruar disa banka të nivelit të dytë dhe ka përvetësuar më shumë se 150 milionë Lekë.
Policia sqaron se ky person duke përfituar dhe nga situata e pandemisë COVID-19 për hapjen e llogarive bankare për përfitimin e “Pagës së luftës”, kishte hapur një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë.
“Kjo llogari ishte hapur që ky shtetas të shfrytëzonte një hapësirë që gjendej në shërbimin bankar dixhital. Pas kësaj, ky shtetas ka arritur të kryejë 36 transaksione financiare në një vlerë 15.533.510 lekë të reja, në llogari të ndryshme të bankave të tjera të nivelit të dytë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”, theksohet në njoftim.
Pas transferimit të shumave të ndryshme Denis Trungu kryente tërheqje nga bankat ku ishin transferuar këto fonde, nëpërmjet kartave bankare ose duke u paraqitur vetë në bankë. Tashmë materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Sipas policisë 32-vjeçari, banues në Durrës, ka qenë i dënuar më parë me gjobë për kryerjen e veprës penale “Vetëgjyqësia”, po ashtu ka i dënuar me 3 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës” si dhe i dënuar me 9 muaj burg për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.